Turbulencat në Ballkan dhe e ardhmja e shtetit të Kosovës!

0%

Asnjëherë më parë, që nga Lufta e Dytë Botërore, siguria globale e Planetit nuk ka qenë më e rrezikuar dhe më e destabilizuar se sa sot. Ka kohë që rendi Botëror ka dalë nga binarët dhe pothuajse nuk ka mbetur asnjë shtet apo lider në Botë që po kontribuon seriozisht për paqen dhe të ardhmen e njerëzimit.

Fuqitë e mëdha po luftojnë për interesat e tyre ekonomike, duke synuar kontrollin dhe shfrytëzimin e resurseve natyrore të shteteve të ndryshme. Mjerisht, Ballkani po vlon nga demonstratat, protestat dhe pakënaqësitë e popujve.

Keshtu në Serbi po vazhdojnë protestat kundër pushtetit të Vuçiqit, ndërsa në Shqipëri rinia, studentët dhe forcat progresive intelektuale po shfaqin pakënaqësi ndaj qeverisjes së Edi Ramës. Situata e tensionuar ka kohë që është shfaqur edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ndërsa tendenca destabilizuese po reflektohen edhe në Republikën e Malit të Zi dhe më gjerë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Republika e Kosovës, për shkak të politikës së gabuar të një pjese të klasës politike, ndodhet në një udhëkryq. Pas përfundimit të zgjedhjeve, partitë politike po vazhdojnë nga distanca me deklarata përçarëse, duke manifestuar tendenca destruktive për interesa të ngushta politike dhe karrieriste në garën për pushtet.

Këto eksperimente politike që po i ndodhin Kosovës, përmes partive politike dhe deputetëve pa integritet, kanë shkaktuar dëme të mëdha për shtetin e Kosovës dhe njëherësh kanë ndikuar në përçarjen e qytetarëve anembanë vendit.

Zgjedhjet e fundit treguan fytyrën e vërtetë të shumë figurave politike që për vite me radhë kanë qenë pjesë e institucioneve shtetërore, duke vrapuar me çdo kusht për të marrë pozita dhe funksione publike, pavarësisht nëse u takojnë apo jo.

Kjo klasë politike nuk duket se është mjaftueshëm e vetëdijshme se Kosova vazhdon të jetë objekt i pretendimeve dhe politikave destabilizuese të Serbisë, të cilat synojnë dobësimin e shtetit të Kosovës.

Andaj, është koha që sa më parë të arrihet një konsensus apo marrëveshje politike ndërmjet subjekteve që kanë hyrë në Parlament, me qëllim të krijimit të institucioneve të reja shtetërore, para se të jetë tepër vonë.

Pretendimet dhe kalkulimet e liderëve apo grupeve të interesit për të bllokuar sërish procesin e krijimit të institucioneve, apo për të shtyrë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duhet të marrin fund. Qytetarët e këtij vendi tashmë janë vetëdijesuar dhe e kanë kuptuar qëllimin e disa subjekteve politike që, sipas perceptimit të shumë qytetarëve, po luajnë me fatin e vendit.

Çdo tendencë për të shkuar në zgjedhje të reja për interesa të ngushta politike duhet të refuzohen dhe bojkotohen nga qytetarët, të cilët kanë nevojë për stabilitet institucional dhe zhvillim ekonomik, e jo për kriza të vazhdueshme politike.

Zgjedhjet e fundit dëshmuan edhe një herë se qytetarët e Kosovës janë të interesuar për stabilitet, për raporte normale ndërnjerëzore dhe për funksionimin normal të shtetit, e jo për përçarje, grupacione dhe konflikte verbale që po ushqehen çdo ditë përmes mediave dhe rrjeteve të ndryshme.

Në fund, po theksojmë se klasa politike dhe deputetët e këtij parlamenti duhet ta kuptojnë se çdo tendencë, obstruksion apo bllokadë që i shkaktohet shtetit të Kosovës do të ndeshet me reagimin e qytetarëve dhe intelektualëve të këtij vendi, të cilët gjithnjë e më shumë po kërkojnë përgjegjësi, seriozitet dhe vizion politik.

Kosova nuk ka nevojë për kriza të reja politike, por për institucione funksionale dhe për një klasë politike që do të jetë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, veçanërisht në këtë periudhë kur Bota po përballet me sfida të mëdha ekonomike, politike dhe të sigurisë.

Burimi: Bota Sot