Një shtëpi është përfshirë nga flakët në orët e vona të së martës në fshatin Carralevë të Shtimes, ndërsa dëmet materiale raportohet se kapin vlerën e dhjetëra mijëra eurove, mëson Sinjali. Rasti ka ndodhur në lagjen Balaj, ndërsa Policia është njoftuar rreth orës të 12 gushtit se një shtëpi ishte duke u djegur.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se pronari i shtëpisë është R.XH rreth 33-vjeçar. Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe hetuesit e Stacionit Policor në Shtime, si dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.
Pronari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ka deklaruar se, sipas vlerësimit të tij, dëmet e shkaktuara nga zjarri arrijnë deri në 35 mijë euro. Për shkak të vlerës së dëmit, për rastin është njoftuar edhe Njësia Rajonale e Hetimeve, e cila pritet të kryejë ekzaminimet e mëtejshme në vendin e ngjarjes. Deri atëherë, lokacioni është siguruar nga njësitë policore.
Prokurori kujdestar është njoftuar dhe, me autorizimin e tij, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”. Për momentin nuk është identifikuar ndonjë person i dyshuar, ndërsa mbetet të sqarohet edhe shkaku i zjarrit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
