Një aheng familjar në Prekaz të Epërm të Skenderajt ka përfunduar me intervenimin e Policisë, kontrollin e shtëpisë dhe automjeteve, si dhe sekuestrimin e disa a*mëve e qindra gëzhojave, mëson Sinjali. Rasti ka ndodhur të martën, më 11 gusht, rreth orës , pasi Policia ka marrë informacion se në një aheng familjar po kishte të shtëna.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personat e dyshuar në këtë rast janë Muharrem Fazliu rreth 61-vjeçar dhe Florent Fazliu rreth 23-vjeçar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë patrulla policore, hetuesit dhe Forenzika. Gjatë kontaktit me pronarin e shtëpisë ku po mbahej ahengu, ai ka pranuar se kishte pasur të shtëna me një a*më me gaz, të cilën më pas ia ka dorëzuar Policisë.
Por rasti nuk ka përfunduar me kaq. Pasi në vendin e ngjarjes janë vërejtur edhe gëzhoja të tjera, është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka autorizuar kontrollin e shtëpisë dhe automjeteve të të dyshuarve. Gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe dy a*më të tjera – një pistoletë CANIK, kalibër 9×19 mm, dhe një TT, kalibër 7.62 mm.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, janë sekuestruar gjithashtu 240 gëzhoja, të raportuara si të kalibrit 9×9 mm, gjashtë gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, si dhe 11 fishekë të pashkrepur të kalibrit 9×19 mm. Dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar.
Me vendim të Prokurorit kujdestar, ndaj tyre janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa të dy janë ndaluar për 48 orë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
