Në kushte krizash dhe gjendjesh të tendosura, pse diplomacia muzikore nuk bëhet mjeti kryesor i politikës së jashtme?

0%

Diplomacia muzikore është përdorimi i planifikuar i muzikës si mjet për komunikim ndërkombëtar, bashkëpunim dhe ndërtimin e mirëkuptimit e të besimit të ndërsjellë midis vendeve, popujve dhe kulturave të ndryshme. Kjo nënkupton që, përmes muzikës, të krijohen marrëdhënie miqësore, mirëkuptim dhe bashkëpunim mes popujve dhe shteteve të ndryshme. Diplomacia muzikore është pjesë e diplomacisë kulturore, ku, në vend të diskutimeve politike, muzika shërben si mjet komunikimi dhe lidhjeje. Ajo zhvillohet përmes koncerteve, festivaleve muzikore, shkëmbimeve kulturore dhe shfaqjeve ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, vendet i prezantojnë botës kulturën, traditat dhe vlerat e tyre. Njerëzit me prejardhje të ndryshme njihen më mirë me njëri-tjetrin, zvogëlojnë paragjykimet dhe ndërtojnë besim të ndërsjellë. Muzika ka një fuqi të veçantë, sepse është një gjuhë universale që mund t’i lidhë njerëzit pavarësisht gjuhës, fesë ose përkatësisë së tyre kombëtare. Kur muzikantë nga vende të ndryshme të botës bashkëpunojnë ose performojnë së bashku, ata përcjellin mesazhe paqeje, respekti dhe bashkëjetese. Prandaj, diplomacia muzikore nuk është vetëm një mënyrë për t’u argëtuar ose për të bërë art, por edhe një mjet i rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe nxitjen e dialogut midis popujve. Ajo tregon se muzika mund të jetë një urë që i lidh njerëzit dhe kontribuon në ndërtimin e marrëdhënieve më të mira diplomatike në botë. Nëse politika shumë shpesh di të ndajë, të përçajë, të acarojë dhe të konfrontojë, atëherë njerëzit duhet t’i japin përparësi diplomacisë muzikore, me qëllim që ajo të qetësojë tensionet dhe të krijojë hapësirë për shtendosje, afrim dhe bashkëpunim mes njerëzve dhe shteteve në skenën ndërkombëtare. Kastriot Tusha dhe Inva Mula do të ndikonin dhe reflektonin më pozitivisht në skenën vendore dhe ndërkombëtare me një këngë sesa Edi Rama me njëqind batutat e tij, të shoqëruara shpesh me arrogancë dhe mungesë serioziteti diplomatik.

Burimi: Bota Sot