Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Gjocaj, vendosi protezën elektronike në vend të dorës që e humbi 28 vjet më parë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës. Vëllai i tij, Shpend Gjocaj, rrëfen për kp se Qerimi kishte refuzuar për gati tri dekada çdo mundësi për vendosjen e një proteze, duke zgjedhur të jetonte pa të dhe duke mos pranuar, siç thotë ai, “një pjesë të huaj në trup”. Ai tregoi se me kalimin e viteve familja ishte mësuar me vendimin e Qerimit për të mos mbajtur protezë. Sipas tij, pavarësisht se e humbi dorën si 20-vjeçar, Qerimi kishte treguar forcë të jashtëzakonshme morale. Gjocaj: Qerimi ka qenë i fortë moralisht pas humbjes së dorës, na ka dhënë moral neve “Qerimi ka qenë i fortë moralisht pas humbjes së dorës si djalë 20-vjeçar. Ai na ka dhënë moral neve. Mua sytë më janë bërë varrë sa herë që më duhej dora e djathtë, më rridhnin lotët. Qerimi na jepte moral. Kaluan vitet dhe ne u mësuam me faktin se Qerimi nuk donte protezë dhe nuk u interesuam më. Me një fjalë, e normalizuam këtë situatë”, tha Shpend Gjocaj. Ai tha se gjatë kësaj periudhe kishte vërejtur se vëllai i tij po përballej edhe me probleme shëndetësore, përfshirë shtrëngime në gjoks, ndërsa gjatë bisedave kishte kuptuar se mungesa e dorës kishte filluar ta rëndonte më shumë se më parë. Shpend Gjocaj tha se një mjek, mik i familjes, e kishte nxitur të shqyrtonte mundësinë e protezave moderne, të cilat i ofron teknologjia shumë e avancuar. Sipas tij, teknologjia e re dhe fakti që dëmtimi nuk kishte prekur nervat kryesorë e kanë bërë më të lehtë procesin e përshtatjes së protezës. Gjocaj: Ai kishte dashur të qëndronte origjinal, pa dorë “Arsyeja pse ndodhi tani është fakti se në muajin nëntor djali i Qerimit, 14-vjeçar, u diagnostikua me leukemi dhe kjo na tronditi të gjithëve këtu në Neë York. E përjetuam rëndë. Unë luaja rolin e psikologut për Qerimin.Një ditë prej ditësh, Qerimi filloi të kishte probleme dhe shtrëngime në gjoks. Unë e thërras një mik mjek dhe i them se Qerimi ka probleme shëndetësore. Analizat i kishte kaluar mbi normat normale dhe nuk kishim kohë të prisnim termine. Mjeku më tha: ‘Pse, Shpend, nuk provon të gjesh një protezë? Kanë dalë teknologji të reja e të fundit’ Unë ia shpjegova doktorit se nuk ishim interesuar, sepse Qerimi nuk kishte dashur të kishte një pjesë të huaj në trup. Ai kishte dashur të qëndronte origjinal, pa dorë. Edhe ne të tjerët u mësuam me këtë dhe nuk deshëm ta lëndonim më shumë. Pas vizitës dolëm në kafe, unë dhe Qerimi. Gjatë bisedës e kuptova se në të vërtetë Qerimin nuk e kishte munduar shumë kjo gjë për vite me radhë, por dy vitet e fundit kishte filluar ta mundonte shumë vetëm se e kishte mbajtur brenda vetes”, tha ai. Derisa Qerimi e provoi atë protezë, Shpendi u shpreh se atij iu rikthyen emocionet para, gjatë dhe pas luftës. Gjocaj: Derisa e provoi atë protezë nuk e kishte menduar se jeta mund të ishte 100 për qind ndryshe “Fati ka dashur që të gjithë fishekët të mos ia kenë dëmtuar nervat dhe kjo e ka bërë më të lehtë procesin e punimit të protezës. Derisa e provoi atë protezë, nuk e kishte menduar se jeta mund të ishte 100 për qind ndryshe. Ai kishte shkuar vetë për ta provuar dhe kur kam folur me të, kishte emocione të mëdha. Më pas kam vendosur që në vizita të tilla të mos e lë vetëm dhe kjo është arsyeja pse isha dje me të. Kur e vendosi dje protezën, nuk e mendoi se në çfarë emocionesh kalova unë. Më ktheu pas në kohën e luftës dhe të pasluftës. Ishte një rrëmujë e madhe emocionale. Erdhi deri te momenti kur duhej të përcaktohej mes dy ose tri protezave se cila do të vendosej. Funksionet ishin të njëjta, vetëm nuancat dallonin”, u shpreh ai. Ngjarja që i ndryshoi jetën Qerim Gjocajt ndodhi më , gjatë luftimeve të ashpra në zonën e Junikut. Sipas vëllait të tij, Shpend Gjocaj, në atë periudhë Juniku ishte i rrethuar nga të gjitha anët nga forcat serbe dhe pika e vetme e depërtimit ishte drejtimi i Zharrës mbi fshatin Gjoçaj. Ai rrëfen se rreth 24 luftëtarë të UÇK-së u përballën me afërsisht 200 ushtarë serbë të pajisur me artileri dhe armatim të rëndë. Gjocaj: Babai e tërhoqi Qerimin nga fronti në momentin kur u plagos “Të gjithë ne kemi qenë katër vëllezër dhe babai, por është interesante se nuk kemi qenë asnjëri pranë tjetrit. Kemi qenë të gjithë veç e veç. Kemi pasur një parim që në rrethana të tilla të mos jemi të gjithë vëllezërit bashkë, që as të mos vriteshim të gjithë dhe as të mos binim në emocione nëse plagosej njëri prej nesh. Prindërit e mi kanë pasur 12 fëmijë dhe gjysma e tyre kanë qenë ende të vegjël. Ne e kemi kthyer babanë tonë në gjysmën e rrugës dhe i kemi thënë të shkonte te nëna, e cila ndodhej në një përrua me fëmijët e vegjël. Mirëpo, pasi është larguar dhe ka dëgjuar të gjitha ato të shtëna, ai nuk ka mundur të qëndrojë larg. Fati e ka dashur që ai të takohej pikërisht me vëllain Qerimin para se të plagosej. Në momentin e plagosjes, pikërisht babai e ka bërë tërheqjen e tij në rrethana tepër të vështira, i ndihmuar nga luftëtari i lirisë, Eroll Rexhepi” , tha ai. Pikërisht gjatë këtyre luftimeve, Qerim Gjocaj u plagos rëndë. Ai ishte pozicionuar pranë një rruge duke goditur një mitralier serb të vendosur mbi një automjet të blinduar. Pas neutralizimit të tij, nga prapa bunkerit dolën dy ushtarë të tjerë serbë, të cilët hapën zjarr në drejtim të tij. Më pas, pas një rruge të gjatë dhe të vështirë të tërheqjes, Qerimi u dërgua për trajtim mjekësor, duke mbërritur më në Spitalin e Tiranës, ku iu nënshtrua disa ndërhyrjeve kirurgjikale. Aty familja mori edhe lajmin se ai kishte mbijetuar, por kishte humbur dorën e djathtë. Gjocaj: Kur e kuptova se Qerimi jetonte nuk e dija a duhej të mërzitesha apo të gëzohesha “Unë nuk e dija nëse duhej të gëzohesha apo të mërzitesha, sepse deri atëherë e mendoja të vdekur. Pastaj fillova të shqetësohesha se deri në çfarë mase i ishte amputuar dora. E kam njoftuar familjen dhe kam qëndruar me Qerimin rreth një muaj në spital. Gjatë asaj kohe i kam kryer të gjitha obligimet për të, si një prind për fëmijën e vet”, tha ai. Ai theksoi se, pavarësisht plagëve dhe pasojave që ka bartur ndër vite, Qerimi edhe sot do të ishte i gatshëm t’i përgjigjej thirrjes për atdheun. Sipas tij, Qerimi nuk është penduar asnjëherë për kontributin e dhënë gjatë luftës, ashtu siç nuk janë penduar as familjarët e tij, megjithëse humbja e dorës në moshën 20-vjeçare ka qenë një dhimbje e madhe për të gjithë. Gjocaj shtoi se njerëzit jo gjithmonë kanë ditur ta vlerësojnë sa duhet sakrificën e vëllait të tij, gjë që, sipas tij, ia ka vështirësuar jetën. Megjithatë, ai nënvizoi se edhe sot, po t’i jepej mundësia, Qerimi do të vazhdonte të jepte gjithçka për vendin e tij
Ish-luftëtari Qerim Gjocaj me protezë elektronike në vend të dorës së humbur në luftë

Burimi:
Bota Sot