Përderisa liderët e NATO-s po përgatiten për samitin e javës së ardhshme në Turqi, planet për një samit të aleancës në Shqipëri në vitin e ardhshëm janë vënë në pikëkyetje shkaku i rezistencës nga administrata Trump dhe pakënaqësisë në mesin e anëtarëve të NATO-s lidhur me shpenzimet e ulëta të mbrojtjes së Tiranës, i kanë deklaruar Reutersit një diplomat i NATO-s, një zyrtar europian dhe tre persona të informuar me çështjen .
Draft-deklarata për samitin e NATO-s javën e ardhshme në Ankara aktualisht nuk përmend mbajtjen e takimit të ardhshëm në Shqipëri, pavarësisht deklaratës së mëparshme se do të zhvillohet atje, kanë thënë burimet.
Kjo lëvizje vjen ndërsa në kohën kur anëtarët e NATO-s rreken t’ia dëshmojnë në Ankara presidentit të SHBA-së, Donald Trump, se kanë shënuar përparim kur vjen puna te premtimet për shpenzimet e mbrojtjes dhe se kanë shmangur përplasjet e hapura me liderin amerikan.
Pasiguria mbi fatin e samitit të aleancës në Shqipëri vjen gjithashtu pasi Reuters kish raportuar në prill se NATO-ja po shqyrtonte përfundimin e praktikës së saj të fundit të mbajtjes së samiteve vjetore, një veprim që mund të shmangte një takim potencialisht të tensionuar me Trumpin më vonë gjatë mandatit të tij.
Një nga burimet e informuara me diskutimet ka thënë se shpenzimet e mbrojtjes së Shqipërisë janë të tilla që nëse NATO-ja mban samit në vend më 2027, Trump mund të mërzitet, duke provokuar kryetituj negativë. Një diplomat evropian ka thënë se versioni i fundit i tekstit spikat se liderët mezi presin takimin e radhës, pa specifikuar kohën a vendin.
“Draftet janë drafte, jo vendime”, ka deklaruar një zëdhënës i qeverisë shqiptare për Reutersin kur u pyet për mospërmendjen në draft-deklaratën, e cila është në proces negociatash dhe mund të ndryshojë. Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar pranoi ta komentojë. Një zyrtar i NATO-s ka thënë se nuk kanë asnjë koment të menjëhershëm.
Vëmendja te shpenzimet e mbrojtjes Viteve të fundit, deklaratat zyrtare në samitet e NATO-s zakonisht kanë bërë referenca të qarta për vendndodhjen e samitit pasues. Në samitin e vjetëm në Hagë, liderët kishin thënë në deklaratën e tyre se “ne mezi presim takimin tonë të radhës në Turqi më 2026, me pasimin e takimit në Shqipëri”.
Po në atë samit, liderët e NATO-s iu përgjigjën kërkesave të Trumpit duke u zotuar të shpenzojnë 5 % të PBB-së për mbrojtje dhe masa të lidhura me mbrojtjen brenda një dekade. Vendet u zotuan të shpenzojnë 3.5 për qind të PBB-së për mbrojtjen thelbësore – siç janë trupat dhe armët – dhe 1.5 për qind për masa më të gjera që lidhen me mbrojtjen, siç është siguria kibernetike.
Por, derisa shumë vende të NATO-s gjatë muajve të fundit kanë rritur buxhetet e mbrojtjes, disa sosh kanë hasur vështirësi që ta përmbushin edhe qëllimin e mëparshëm të aleancës për të shpenzuar 2 për qind të PBB-së për mbrojtje.
“Kur shikoni të gjitha 2-përqindëshat, pothuajse të gjithë Aleatët janë për 2-përqindëshin”, ka deklaruar Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në një konferencë për shtyp më parë në qershor. “Vjet, Shqipëria, Çekia, Sllovenia nuk ia dolën, por qartazi janë zotuar për më shumë se 2-përqindëshin sivjet.
Dhe pastaj këto tre vende, kur keni parasysh pamjen e përgjithshme, është një numër vërtet i vogël”, ka thënë ai. Shqipëria planifikon masa për përmbjshjen e zotimit të NATO-s Qeveria e Shqipërisë ka bërë të ditur në një deklaratë për Reutersin se po “përfundon masat e nevojshme fiskale për t’i përshtatur shpenzimet e mbrojtjes dhe të mbrojtjes së Shqipërisë për vitin 2026 me trajektoren e dakordësuar nga Aleatët e NATO-s në Samitin e Hagës”.
“Sapo të miratohen këto masa në ditët në vijim, shpenzimet e mbrojtjes dhe ato të lidhura me mbrojtjen e Shqipërisë për vitin 2026 do të përbëjnë në 2.6 % të PBB-së, në përputhje me Metodologjinë e Shpenzimeve të Mbrojtjes të NATO-s.
Nga kjo, 2.2 % e PBB-së përfaqëson shpenzimet kryesore të mbrojtjes, ndërsa 0.4 % e PBB-së përfaqëson shpenzime të tjera të lidhura me mbrojtjen dhe sigurinë”, shtohet në deklaratë. Një diplomat europian ka thënë se Shqipëria në fund të fundit mund të jetë nikoqire e një samiti.
“Ata po rriten, ne do të shohim se ku do të çojë kjo”, ka thënë diplomati, duke shtuar: “Unë ende besoj se samiti i ardhshëm do të mbahet në Shqipëri”. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
