Kur Portugalia të përballet me Kroacinë të premten, Cristiano Ronaldo do të tentojë të arrijë diçka që nuk ia ka dalë kurrë më parë: të shënojë gol në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës.
Portugezi konsiderohet një nga sulmuesit më të mëdhenj në historinë e futbollit dhe, në ndeshjen ndaj Uzbekistanit javën e kaluar, u bë futbollisti i parë që ka shënuar në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës, një arritje që dëshmon jetëgjatësinë dhe profesionalizmin e tij të jashtëzakonshëm.
Megjithatë, përveç faktit që nuk e ka fituar kurrë Kupën e Botës, Ronaldo nuk ka arritur as të shfaqë versionin e tij më të mirë në momentet vendimtare të turneut. Ai renditet mes golashënuesve më të mirë në historinë e Botërorit, në të njëjtin nivel me Gary Lineker, Thomas Muller dhe Gabriel Batistuta, por të 10 golat e tij janë shënuar vetëm në fazën e grupeve.
Kjo ngre pyetjen: si është e mundur që një nga realizuesit më vdekjeprurës në historinë e futbollit ende nuk ka shënuar asnjë gol në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës? Dhe a do të arrijë më në fund ta thyejë këtë mallkim përballë Kroacisë në Toronto? 2006: Sulmuesi që “shkeli syrin”
Ronaldo bëri histori në Botërorin e tij të parë në vitin 2006, duke u bërë golashënuesi më i ri në historinë e Portugalisë në Kupën e Botës, pasi realizoi nga penalltia në fitoren 2-0 ndaj Iranit në ndeshjen e dytë të grupit.
Ai ishte vetëm 21 vjeç dhe ende luante si anësor, jo si sulmuesi i frikshëm që do të bëhej më vonë, ndaj fakti që nuk shënoi në katër ndeshjet e fazës me eliminim direkt nuk u konsiderua problem i madh. Megjithatë, karakteri i tij u vu në qendër të vëmendjes.
Ronaldo u fishkëllye gjatë gjithë gjysmëfinales ndaj Francës, pasi u akuzua se kishte ndikuar në përjashtimin e bashkëlojtarit të tij te Manchester United, Wayne Rooney, në çerekfinalen ndaj Anglisë.
Polemikat u shtuan edhe më shumë pasi kamerat e kapën duke i “shkelur syrin” bankinës së Portugalisë, një veprim që u kritikua ashpër nga Steven Gerrard dhe Frank Lampard. 2010: “Trishtim i paimagjinueshëm” Në Botërorin e Afrikës së Jugut, Ronaldo ishte tashmë kapiteni dhe ylli kryesor i Portugalisë.
Megjithatë, ai shënoi vetëm një gol, në fitoren 7-0 ndaj Koresë së Veriut, ndërsa Portugalia u eliminua në 1/16 e finales nga Spanja me rezultat 1-0. Pas ndeshjes, Ronaldo pranoi se ndihej “plotësisht i dëshpëruar, i frustruar dhe me një trishtim të paimagjinueshëm”. Ai u kritikua edhe për një koment pas humbjes, kur tha se përgjigjet duhej t’i jepte përzgjedhësi Carlos Queiroz.
Më vonë, portugezi sqaroi se nuk kishte pasur për qëllim ta fajësonte trajnerin dhe theksoi se gjithmonë kishte marrë përgjegjësitë si kapiten. 2014: Eliminim që në fazën e grupeve Ronaldo praktikisht e dërgoi i vetëm Portugalinë në Botërorin e Brazilit, duke shënuar të katër golat në “play-off” ndaj Suedisë.
Megjithatë, në fazën finale ai nuk ishte në gjendjen e tij më të mirë fizike për shkak të problemeve në gju dhe kofshë. Ai zhvilloi një paraqitje të zbehtë në humbjen 4-0 ndaj Gjermanisë, më pas asistoi në golin e barazimit ndaj SHBA-së dhe shënoi golin e fitores kundër Ganës.
Pavarësisht kësaj, Portugalia e mbylli Grupin G në vendin e tretë dhe u eliminua pa arritur fare në fazën me eliminim direkt.
Ronaldo u kritikua për rastet e humbura, ndërsa përzgjedhësi Paulo Bento doli në mbrojtje të kapitenit të tij. 2018: Zhgënjimi në Soçi Ronaldo e nisi në mënyrë spektakolare Botërorin e Rusisë, duke realizuar një het-trik në barazimin 3-3 ndaj Spanjës, ku shënoi edhe golin e tij të parë nga goditja e dënimit në një turne madhor.
Megjithatë, pasi Portugalia siguroi kualifikimin, historia u përsërit. Në fazën e 1/16 së finales ndaj Uruguait, Ronaldo nuk arriti të shënonte apo të asistonte, ndërsa Portugalia u eliminua pas humbjes 2-1 në Soçi. 2022: Në stol Ronaldo mbërriti në Katar me besimin se mund të fitonte trofeun e vetëm që i mungonte në karrierë, por turneu mori një tjetër drejtim.
Pas problemeve në fund të aventurës së tij të dytë te Manchester United, ai u la në stol nga Fernando Santos për ndeshjen e 1/16 së finales ndaj Zvicrës. Portugalia fitoi bindshëm 6-1 falë het-trikut të zëvendësuesit të tij, Gonçalo Ramos. Më pas, skuadra u eliminua nga Maroku në çerekfinale.
Pas largimit nga turneu, Ronaldo reagoi në rrjetet sociale duke theksuar se përkushtimi i tij ndaj Portugalisë nuk ishte lëkundur kurrë dhe se ai kishte luftuar gjithmonë për ekipin kombëtar. 2026: Koha për t’i dhënë fund thatësirës? Menjëherë pas fitores 5-0 ndaj Uzbekistanit, Ronaldo u kthye nga kamera dhe bërtiti: “Jam kthyer! Jam kthyer!”.
Megjithatë, jo të gjithë u bindën, sidomos pasi ai kishte zhgënjyer në barazimin me Kongon dhe nuk la gjurmë as në ndeshjen ndaj Kolumbisë, e cila e detyroi Portugalinë ta mbyllte Grupin K në vendin e dytë. Tashmë Portugalia përballet me Kroacinë e Luka Modricit në fazën me eliminim direkt. Edhe pse të dy legjendat janë në fundin e karrierës së tyre, mbeten ende lojtarë të rrezikshëm.
Në moshën 41-vjeçare, Ronaldo ka treguar se ende mund të shënojë në Kupën e Botës. Tani sfida e tij më e madhe është të realizojë më në fund golin e parë në fazën nokaut./ Telegrafi
