Një incident i pazakontë ka ndodhur në Pekin, ku një aeroplan i vogël është përplasur me ndërtesën më të lartë të qytetit, duke shkaktuar skena paniku dhe ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës. Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shihen mbetje të aeroplanit duke rënë nga kulla 109-katëshe CITIC Tower, e njohur edhe si China Zun.
Në tokë janë parë pjesë të aeroplanit, ndërsa disa automjete kanë pësuar dëmtime nga copëzat që kanë rënë. Sipas raportimeve të para, nuk dihen ende shkaqet e përplasjes dhe autoritetet nuk kanë dhënë menjëherë informacion të plotë për viktima ose të lënduar.
Pas incidentit, personat brenda ndërtesës janë evakuuar dhe janë mbledhur në rrugët përreth, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar ekipe të shumta të policisë, zjarrfikësve dhe urgjencës. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një aeroplan të vogël sportiv të tipit Sunward SA 60L Aurora, i cili besohet se i përket një kompanie lokale të aviacionit të përgjithshëm.
Të dhënat jozyrtare sugjerojnë se aeroplani mund të ketë devijuar nga trajektorja e planifikuar e fluturimit. Incidenti ka shkaktuar vëmendje të madhe pasi Pekini është një nga qytetet me kontrollet më të rrepta ajrore në botë, veçanërisht në zonat qendrore pranë ndërtesave strategjike.
Hetimet për të përcaktuar shkakun e përplasjes pritet të vazhdojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha të dhënat nga fluturimi dhe gjendjen teknike të aeroplanit.
