Shpërndaje në: Mikel Merino u inkuadrua në lojë në fundin e ndeshjes dhe shënoi tjetër gol për Spanjën. Dhe me golin e Merinos, mesfushorit të Arsenalit, Spanja e ka siguruar gjysmëfinalen e Kupës së Botës. Spanja e mposhti Belgjikën 2:1 në ndeshjen shumë të vështirë, që u zhvillua të premten mbrëma në Los Angeles. Tani në gjysmëfinalen e 14 korrikut do të përballet me Francën.
Fabian Ruiz shënoi për 1:0 në të mirë të Spanjës në minutën e 30-të, ndërsa Charles De Ketelaere në minutën e 41-të, realizoi për 1:1. Spanja ishte dukshëm më e mirë në këtë ballafaqim dhe tentoi më shumë. Por, ishte Merino që u inkuadrua në minutën e 86-të dhe shënoi dy minuta më vonë, për golin e fitores dhe avancimin në gjysmëfinale të ngjarjes globale.
Merino e shfrytëzoi gabimin e portierit Senne Lammens, që nuk e priti gjuajtjen e fuqishme të Pau Cubarsit. Lammens e zëvendësoi portierin e parë, Thibaut Courtois, që pësoi lëndim dhe u pa me lot në sy teksa doli nga fusha. Për Merinon ishte goli i dytë në këtë Kupë të Botës dhe ishte vendimtar për herën e dytë po ashtu.
Me golin e mesfushorit 30-vjeçar, Spanja e mposhti edhe Portugalinë 1:0 në 1/8 e finales së Botërorit. Merino në atë ballafaqim ishte inkuadruar në minutën e 85-të, ndërsa golin e fitores e kishte shënuar në minutën e parë të kohës shtesë. Pas rezultatit 2:1, Belgjika u hodh në sulm me gjitha forcat dhe pati mundësi të arta shënimi. Por, nuk e shënoi golin e barazimit dhe u eliminua.
