Atletët zviceranë përjetuan emocione të përziera në mitingun e Diamond League në Monaco. Simon Ehammer u detyrua të ndërpresë garën në kërcimin së gjati pas tentimit të tretë për shkak të një shqetësimi në kofshë. “Në fakt bëra një kërcim të mirë. Gjatë uljes ndjeva një shtrëngim në kofshë.
Është e pazakontë, sepse zakonisht kjo ndodh gjatë vrapimit për marrje hov”, deklaroi Ehammer për “SRF”. Një muaj para Kampionatit Evropian në Birmingham, 26-vjeçari nuk dëshiron të rrezikojë. Ai u shpreh i kënaqur me rezultatin prej 8.32 metrash, që i siguroi vendin e pestë pas një pauze të gjatë nga garat. “Është një rezultat shumë i mirë. Mund të ndërtojmë mbi këtë paraqitje.
Do të habitesha nëse bëhet fjalë për një lëndim serioz”, shtoi ai. Ylli i mbrëmjes për Zvicrën ishte Dominic Lobalu. Kampioni evropian në 10.000 metra triumfoi në garën e 5.000 metrave me kohën .54 minuta, që njëherësh është rezultati i tij më i mirë i sezonit. “Jam shumë i kënaqur me garën. Kam stërvitur mirë në St. Moritz.
Kisha ende energji në mendje dhe në këmbë për ta dhënë goditjen vendimtare në fund”, tha Lobalu, transmeton media zvicerane “Blick”. Në podium u ngjit edhe Angelica Moser në kërcimin me shkop, duke zënë vendin e tretë me lartësinë 4.62 metra. Pas rrëzimit të rëndë që pësoi në Paris dy javë më parë, gara në Monako ishte një sfidë edhe në aspektin psikologjik. “Këmba reagoi mirë.
Megjithatë, para se të kaloja te shkopi më i fortë ndjeva pak frikë. Ishte e rëndësishme ta riktheja besimin te vetja”, u shpreh Moser.
