Manchester Unitedi i ka bërë të ditur Atalantës se nuk do të vazhdojë me transferimin e Edersonit, ndërsa marrëveshja tashmë konsiderohet e dështuar, sipas raportimeve. Ederson pritej t’i bashkohej Unitedit këtë verë në një marrëveshje me vlerë 35 milionë funte, plus 4 milionë të tjera në formë bonusesh.
Mesfushori 26-vjeçar thuhet se kishte arritur marrëveshje për kushtet personale me klubin e Premierligës dhe ishte gati të nënshkruante një kontratë katërvjeçare, me opsion zgjatjeje edhe për 12 muaj të tjerë.
Një raport i “Sky Sports” në qershor kishte bërë të ditur se transferimi pritej të përfundonte para muajit korrik, me kusht që Ederson të kalonte me sukses kontrollet mjekësore në Old Trafford, por duket se lëvizja ka dështuar.
Pasi Brazili u eliminua nga Kupa e Botës të dielën, u raportua gjerësisht se United kërkoi që mesfushori t’i nënshtrohej testeve mjekësore shtesë dhe më të detajuara përpara se të jepte dritën jeshile. Thuhet se këto teste u kryen gjatë 48 orëve të fundit, por Fabrizio Romano ka bërë të ditur se transferimi nuk do të realizohet.
Në një postim në rrjetin social “X” të premten në mbrëmje, ai shkroi: “Ederson te Manchester Unitedi, marrëveshja ka dështuar dhe konsiderohet e mbyllur, pasi Manchester Unitedi e ka njoftuar Atalantën. Atalanta beson se Ederson është 100% i gatshëm fizikisht dhe do ta mirëpresë rikthimin e tij në skuadër, pasi Manchester Unitedi ndryshoi planet.
Ederson nuk do t’i bashkohet Manchester Unitedit”. Megjithatë, sipas një raporti të “The Times”, Manchester Unitedi ka shqetësime për një dëmtim në gju që lojtari thuhet se e bart, ndërsa marrëveshja ende nuk konsiderohet plotësisht e mbyllur. Klubi pritet të kryejë teste të tjera mjekësore, ndërsa Ederson ende nuk është informuar nëse transferimi do të realizohet.
Sipas raportimeve, ai është i vendosur të transferohet në “Old Trafford”. Largimi i Casemiros, së bashku me mungesën afatgjatë të Manuel Ugartes, i cili pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar (ACL) gjatë Kupës së Botës, ka bërë që Unitedi të kërkojë përforcime të reja në mesfushë.
Ndërkohë, Andrey Santos është pranë transferimit te skuadra e Michael Carrickut nga Chelsea në një marrëveshje prej 48 milionë funtesh plus 2 milionë bonuse. Ai pritet t’u nënshtrohet kontrolleve mjekësore. Po kush do të jetë objektivi i radhës i Manchester Unitedit?
Sipas “TEAMtalk”, klubi anglez po shqyrton mundësinë e transferimit të mesfushorit të Romës dhe kombëtares së Francës, Manu Koné, pasi është informuar se lojtari dëshiron ta provojë veten në Premierligë.
Raporti thekson se Roma është e gatshme ta shesë për rreth 50 milionë funte, ndërsa 25-vjeçari është shfaqur si një alternativë pasi United nuk arriti të sigurojë shërbimet e Aurélien Tchouaménit.
Me cilësi të ngjashme në rikuperimin e topit dhe avancimin e lojës si Tchouaméni, Koné shihet si një opsion më ekonomik, ndërsa paraqitjet e tij në Kupën e Botës kanë rritur edhe më shumë interesimin për të. Koné zhvilloi 37 paraqitje në të gjitha garat sezonin e kaluar, duke ndihmuar Romën të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
