Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me Kryeministrin Edi Rama morën pjesë në një dialog të hapur me 150 aktivistë të rinj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi në #RinCamp2026. Anëtarësimi në BE dhe progresi i Shqipërisë ishte në zemër të shkëmbimeve me të rinjtë në panelin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Hoxha theksoi se ky proces kërkon përfshirjen aktive të të gjithëve, veçanërisht të të rinjve, të cilët do të jenë nesër përfituesit e drejtpërdrejtë të çdo investimi që bëjmë sot. “Ky është qëllimi ynë kombëtar, misioni ynë i përbashkët dhe mundësia më e mirë e të rinjve. Askush nuk përjashtohet; të gjithë kanë një rol për të luajtur.
Ky brez do të jetë i pari që do ta përjetojë Shqipërinë si Shtet Anëtar i Bashkimit Evropian. Unë e kam theksuar edhe në turin e takimeve që kam zhvilluar me të rinjtë se Evropa fillon këtu. Në Bruksel merren vendimet, por reformat bëhen këtu. Impakti i gjithçkaje që vendoset në Bruksel, është në Shqipëri” , theksoi Ministri.
Sipas Hoxhës, duke kuptuar se anëtarësimi në BE fillon këtu në shtëpi, secili prej nesh, individualisht dhe kolektivisht, mund të ndihmojë në afrimin e kësaj të ardhmeje.
“Ndërsa përgjegjësia jonë është ta udhëheqim Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, përgjegjësia e të rinjve do të jetë të përfaqësojnë dhe mbrojnë si interesat e Shqipërisë brenda familjes evropiane, ashtu edhe interesat tona të përbashkëta evropiane në skenën globale”, theksoi Ministri i Jashtëm.
