“Prishtina Parking”: Pagat e punëtorëve do të ekzekutohen pjesërisht

0%

Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” ka njoftuar se pagat e punëtorëve do të ekzekutohen pjesërisht gjatë ditës së sotme (), ndërsa pjesa e mbetur do të paguhet në ditët në vijim.

Ky njoftim vjen pasi dhjetëra punëtorë të ndërmarrjes protestuan sot () para objektit të kompanisë në lagjen Lakërishtë në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësinë për mosekzekutimin e pagave për muajin qershor. Ata kërkuan që pagat të ekzekutohen gjatë ditës së sotme, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të ndërpresin punën.

Në komunikatën e saj, “Prishtina Parking” bëri të ditur se vështirësitë financiare janë pasojë e pezullimit të aktivitetit të ndërmarrjes për një periudhë të caktuar, pas vendimit të Gjykatës Supreme për shfuqizimin e pjesshëm të Rregullores për organizimin dhe shfrytëzimin e parkingjeve.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas ndërmarrjes, ky pezullim ka ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e të hyrave, duke krijuar obligime financiare dhe duke shkaktuar vonesa në ekzekutimin e pagave të punëtorëve. “Për shkak të kësaj situate, ka pasur vonesë në ekzekutimin e pagave të punëtorëve. Megjithatë, ju njoftojmë se pagat e punëtorëve të Ndërmarrjes do të ekzekutohen pjesërisht gjatë ditës së sotme.

Ndërsa, pjesa e mbetur do të ekzekutohet gjatë ditëve në vijim”- thuhet në njoftimin e kësaj ndërmarrjeje. Kjo ndërmarrje tash e një kohë po përballet me vështirësi financiare, ndërsa ekzekutivi në Prishtinë ka kërkuar disa herë nga Kuvendi Komunal ndarjen e mjeteve financiare për tejkalimin e kësaj situate.

Në një nga seancat e fundit, propozimi për ndarjen e 100 mijë eurove për ndërmarrjen nuk mori votat e nevojshme. Për vendimin votuan vetëm nëntë asamblistë, ndërsa 14 ishin kundër, duke bërë që propozimi të mos miratohej. Komuna është arsyetuar se ndarja e mjeteve ishte e domosdoshme për shkak të vështirësive financiare të shkaktuara, sipas tyre, nga një vendim i gjykatës.

Sipas ekzekutivit komunal, kjo shumë do t’i mundësonte ndërmarrjes funksionimin deri në përfundimin e procedurave për ndryshimin e rregullores së saj. Në anën tjetër, grupi i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal kishte kundërshtuar propozimin, duke vlerësuar se ai nuk i përmbush kushtet dhe standardet minimale të arsyetimit dhe transparencës.

Çështja pritet të rikthehet në mbledhjen e rregullt të Kuvendit Komunal të Prishtinës më , ku në rend dite është përfshirë sërish një propozim-vendim për ndarjen e mjeteve financiare për “Prishtina Parking”. Megjithatë, në materialet e publikuara për mbledhjen nuk është specifikuar shuma e mjeteve që propozohet të ndahen.

Burimi: Kallxo