Rruga e Komanit, segmenti lidhës për turizmin malor deri përpara 1 viti, e konsideruar si një nga akset më të rrezikshme në vend, ku kanë humbur jetën shumë persona, tashmë ka marrë një pamje krejt tjetër. Investimi i KESH ka transformuar segmentin 32-kilometra nga Vau i Dejës drejt Komanit. Për banorët, ky investim ishte i shumëpritur dhe menjëherë ka ndikuar te numri i vizitorëve.
Vetë shoferët, që e përshkojnë këtë aks prej vitesh, tregojnë rrezikun që kishte rruga, teksa për të huajt që rikthehen, ka një ndryshim të madh. “Më në fund me asfalt. Tashmë shumë më lehtë për të ardhur në Koman, më shpejt. Shumë më mirë për turistët. Ka qenë një surprizë e bukur për ne, sepse i kishte munguar shumë turizmit kjo rrugë. Tani të kemi kujdes vetëm me shpejtësinë”.
Kjo rrugë shërben për lidhjen e disa prej destinacioneve më të rëndësishme turistike në vend, si me Liqenin e Komanit, Lumin e Shalës, Valbonën, Thethin, Currajt e Epërm e deri në Kosovë.
