Temperaturat e larta që kanë përfshirë Shqipërinë kanë rritur rrezikun për përhapjen e zjarreve, ndërsa shërbimet zjarrfikëse kanë nisur fushata ndërgjegjësuese për parandalimin e tyre. Shërbimi Zjarrfikës i Gramshit ka zhvilluar një aktivitet sensibilizues në qytet, ku qytetarëve dhe turistëve u është ofruar freskim me ujë si një mënyrë për të përballuar temperaturat e larta.
Përmes këtij aktiviteti, zjarrfikësit kanë përcjellë edhe një mesazh për kujdes dhe përgjegjësi, duke u bërë thirrje banorëve të mos ndezin zjarre në ambiente të hapura. Sipas tyre, gjatë periudhave me temperatura ekstreme, edhe një shkëndijë e vogël mund të shkaktojë pasoja të rënda, duke rrezikuar pyjet, pronat dhe jetën e njerëzve.
“Ne ju freskojmë me ujë, ju zgjidhni të mos ndizni zjarr”, është mesazhi i përcjellë nga zjarrfikësit e Gramshit, të cilët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve për të shmangur situatat e rrezikshme gjatë sezonit të verës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
