Policia Rajonale e Ferizajt ka njoftuar se magjistralja Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani, është liruar plotësisht për qarkullim të automjeteve, pas tërheqjes së ujit nga rruga. Sipas njoftimit të përditësuar, situata është normalizuar pas ndërhyrjes së shërbimeve emergjente dhe pakësimit të reshjeve të shiut.
“Policia Rajonale e Ferizajt njofton qytetarët se, pas pakësimit të reshjeve të shiut dhe ndërhyrjes së Shërbimeve Emergjente, është bërë e mundur largimi i ujit nga rruga”, thuhet në njoftim. Bllokohet për qarkullim rruga magjistrale Ferizaj-Gjilan pas reshjeve të dendura të shiut Autoritetet kanë bërë të ditur se qarkullimi tashmë po zhvillohet normalisht në të dy drejtimet.
“Si rrjedhojë, magjistralja Ferizaj–Gjilan, në fshatin Dardani, është liruar plotësisht për qarkullimin e automjeteve dhe trafiku tashmë po zhvillohet normalisht në të dy drejtimet”, bëhet e ditur më tej. Policia ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin gjatë menaxhimit të situatës dhe ka apeluar për kujdes të shtuar në rrugë për shkak të lagështisë së mbetur.
“Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë menaxhimit të kësaj situate, ndërsa apelojmë te shoferët e automjeteve të kenë kujdes në rrugën me lagështi”, përfundon njoftimi. / Telegrafi
