NLB Kampi Veror i Federatës së Hendbollit të Kosovës po vazhdon sipas planifikimit. Rreth 150 hendbollistë të rinj po punojnë nën urdhërat e trajnerëve. Përgjegjësit janë shumë të kënaqur me punën e bërë deri më tani. Pjesë e kampit veror është edhe përzgjedhësi i Kombëtares A të Kosovës, Jesper Ostlund. Ai ka folur për rëndësinë e këtij organizimi.
“Ky kamp hendbolli është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse u jep lojtarëve të rinj dhe të apasionuar platformën për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për të ndërtuar punën në grup. Përtej vetë sportit, ka të bëjë me frymëzimin e gjeneratës së ardhshme, krijimin e miqësive të përjetshme dhe forcimin e komunitetit të hendbollit në Kosovë ”, ka thënë Ostlund të shtunën.
Federata e Hendbollit e Kosovës vazhdimisht i kushton rëndësi maksimale punës me të rinj. Dhe prej angazhimeve më të rëndësishme është kampi veror. “Investimi në këta të rinj do të thotë investim në të ardhmen e sportit të Kosovës” , ka theksuar përzgjedhësi Ostlund. Pjesë e kampit janë edhe Kombëtarja U16 e hendbollisteve dhe Kombëtarja U18 e hendbollistëve.
Po marrin pjesë edhe hendbollistë të talentuar nga Shqipëria. Po ashtu është e ndarë puna me portierë, që po zhvillohet nën koordinimin e trajnerit të portierëve në Kombëtaren A, Martin Norrbom.