Carlo Ancelotti ka zbuluar pse rrallëherë feston golat gjatë ndeshjeve, duke theksuar se përvoja e tij e gjatë në futboll e ka mësuar të mos e konsiderojë asnjë ndeshje të përfunduar para fishkëllimës së fundit. Trajneri i Brazilit ka deklaruar me humor se nuk mund të vrapojë për të festuar, pasi në moshën e tij 67-vjeçare rrezikon të lëndohet.
“Nuk mund të vrapoj sepse do të më çahej gjuri. Jam 67 vjeç”, tha ai. Ancelotti ka shtuar se shpesh nuk feston menjëherë pasi ka parë shumë ndeshje që janë përmbysur në minutat e fundit, ndaj preferon të presë fundin e takimit. “Kur shënoi Martinelli, kishin mbetur edhe disa minuta.
Nuk mund të festoja sepse kam përjetuar shumë ndeshje që i kam menduar të mbyllura dhe kanë përfunduar keq,” ka thënë ai. Sipas Ancelottit, pas ndeshjeve të tilla ndjenja kryesore është lehtësimi dhe jo domosdoshmërisht gëzimi i madh.
Ai gjithashtu ka ironizuar idenë se i drejtohet lutjeve gjatë ndeshjeve, duke thënë: “Jam katolik, por mendoj se Zoti ka probleme të tjera më të rëndësishme”.
