Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Një në tre persona pret të paktën gjashtë muaj para se të kërkojë ndihmë mjekësore pasi vëren një shenjë që mund të lidhet me kancerin, sipas një studimi të Cancer Research UK. Sipas ekspertëve, vonesa në kontroll mund të bëjë që sëmundja të zbulohet më vonë, kur trajtimi është më i vështirë.
Anketa me 6.844 të rritur zbuloi se 32 për qind prisnin të paktën gjashtë muaj për t’u kontrolluar, ndërsa 43 për qind nuk u rikthyen më te mjeku edhe pse simptomat vazhdonin, ka shkruar FemaleFirst.
Më shumë se gjysma e pjesëmarrësve kanë deklaruar se mendonin se ishte e vështirë të siguronin një termin te mjeku i familjes, ndërsa mbi një e treta u shprehën se kishin shqetësime të tjera që i pengonin të kërkonin ndihmë.
Simptomat që nuk duhen neglizhuar përfshijnë gunga të pashpjegueshme në trup, vështirësi në gëlltitje, humbje të pashpjegueshme në peshë si dhe prani gjaku në jashtëqitje. “Është shumë e rëndësishme që kanceri të zbulohet sa më herët, sepse trajtimi ka më shumë gjasa të jetë i suksesshëm.
Mbështetja është e disponueshme për çdo person që vëren diçka të pazakontë në trupin e tij”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e Cancer Research UK, Michelle Mitchell. Një nga personat që përfitoi nga iniciativa ishte Carlton Hayman, i cili ka kërkuar këshillë pasi kishte vështirësi në gëlltitje. “Pas një dite pune vendosa të flisja me farmacistin.
Ai më dëgjoi me kujdes dhe më bëri shumë pyetje”, ka treguar ai. Pas kësaj bisede, Hayman ka shkuar te mjeku dhe më vonë u diagnostikua me kancer të ezofagut. Ekspertët theksojnë se zbulimi i hershëm mbetet një nga mënyrat më të mira për të rritur shanset e mbijetesës, pasi shumë lloje kanceri trajtohen më me sukses kur diagnostikohen përpara se të përhapen.
