Pollozhani pas mbylljes së fazës në Slloveni: Jemi në rrugën e duhur, fokusi maksimal tek Evropa Shkëndija nga Tetova ka mbyllur fazën përgatitore në Slloveni dhe kthehet në Tetovë për të vazhduar punën. Trajneri Artim Pollozhani beson se ekipi i gatshëm do ta pret ndeshjen e parë me Europa FC më 9 korrik në Gjibraltar.
Mbyllja e fazës përgatitore në Slloveni ka lënë përshtypje pozitive tek shefi i shtabit teknik të KF Shkëndija, Artim Pollozhani. Kuqezinjtë zhvilluan katër ndeshje kontrolluese mjaft cilësore (kundër Koperit, Hajdukut të Splitit, Celjes dhe Zorya Luhansk), duke testuar formën e skuadrës para sfidave evropiane.
Në prononcimin e tij të parë pas përfundimit të këtij cikli stërvitor, trajneri Pollozhani u shpreh i kënaqur me progresin e treguar nga futbollistët, pavarësisht ngarkesave fizike. Duke komentuar barazimin e sotëm 2:2 me Zorya Luhansk, tekniku ka vlerësua skuadrën. “Ishte një ndeshje e rëndësishme, pasi përballeshim me një kundërshtar të nivelit të lartë.
Në këtë fazë përgatitore patjetër që edhe lodhja e ngarkesa e kanë bërë të vetën, por ishte një test pozitiv para asaj që na pret në Kupat e Evropës. Me rikthimin e freskisë, automatizmi i lëvizjeve do të jetë akoma më i shpejtë. Mendoj se jemi në rrugën e duhur,” deklaroi fillimisht Pollozhani.
Edhe pse rezultatet në miqësore nuk janë parësore, tekniku kuqezi nënvizoi rëndësinë e ndërtimit të një mentaliteti fitues dhe implementimit të ideve të reja taktike. “Kemi luajtur me kundërshtarë shumë të fortë. Ajo që duam të implementojmë gradualisht po merr formë. Rezultatet nuk janë në plan të parë në miqësore, por mentaliteti fitues duhet të futet në ekip sepse është i rëndësishëm.
Koncepti i lojës do kohë dhe seanca stërvitore që lëvizjet të bëhen me një marsh tjetër, ” shtoi ai. Sa i përket gatishmërisë së skuadrës për startin e eliminatoreve në UEFA Conference League, Pollozhani beson te kontingjenti aktual, duke pritur edhe integrimin e plotë të përforcimeve më të fundit. “Një pjesë e ekipit është e përgatitur.
Me ardhjet e fundit në fazën e sulmit dhe sjelljen e Tambas në formën e duhur, jemi OK. Kemi një kontingjent të mirë për të përballuar sfidën e parë në transfertë, ku është edhe i gjithë fokusi ynë. Me integrimin e plotë të lojtarëve të rinj, do të kemi një konkurrencë të shëndoshë që do t’i shërbejë shumë grupit, ” përfundoi timonieri i kuqezinjve.
