Policia në Podujevë ka dhënë detaje duke thënë se nga katër të plagosurit, tre janë familjarë dhe një është kalimtar i rastit. Nënkoloneli i Drejtorisë Rajonale të Prishtinës, Basri Shabani tha se motivi i ngjarjes nuk dihet saktë, por tha se dyshohet se e gjithë ngjarja të ketë ndodhur për probleme familjare.
Shabani: Nga katër të plagosurit, njëri ishte kalimtar, dyshohet për probleme familjare “Sot rreth orës stacioni policor në Podujevë ka marrë informata se në shesh janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Njësitet relevante i janë përgjigjur rastit, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit janë të plagosur katër persona.
Tre që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejtë në incident dhe një kalimtar i rastit, i cili për fat të mirë ka lëndime të lehta trupore. Për motivin s’mund të them ende sigurt pasi jemi në fazën e parë të grumbullimit të informacioneve.
Nga informacionet që i kemi dhe incizimeve që i kemi nxjerr, nga vendi i ngjarjes tre persona që kanë qenë direkt të përfshirë janë të lënduar nga arma e zjarrit dhe të njëjtit po trajtohen në QKUK. Kanë lidhje familjare, problemet janë familjare dhe kjo mund të jetë motivi, por saktë nuk mund të themi asgjë”, tha Shabani në prononcim për media.
Ai foli edhe për zyrtarin policor me rroba civile, i cili tha se është hetues i stacioni policor të Podujevës dhe ka qenë në detyrë zyrtare gjatë intervenimit. Më herët, drejtori i QKUK-së, Naser Syla, tha se katër të plagosurit janë pranuar në Emergjencë, ku njëri prej tyre tashmë ka hyrë në operim, kurse gjendja për të katër të lënduarit është e rëndë por stabile.
