Në vend të një urimi: Mateo…!

0%

Kampionati botëror i futbollit sikur na e ka tretur gjumin dhe mbrëmja kalon pa u ndjerë. Falë “besnikërisë” së RTSH-s, televizionit publik të cilit i paguajnë taksa edhe ata që kurrë nuk kanë mbërritur të kenë një aparat televizioni në shtëpi, apo sinjal transmetimi, ngjarje të tilla na detyrojnë të kërkojmë gjithnjë rrugë alternative për t’i ndjekur.

Të gjitha rrugët për t’a bërë të mundshme këtë, njëjtë si edhe për shumë të tjera në këtë vend të bekuar nga Zoti e të namur nga keqqeverisja e gjatë historike, kalojnë nga paraja.

Kërkohen para për abonime në paketat e shumta që të ofrohen, por askush s’del të thotë se pse shkojnë dëm paratë e taksave tona, e RTSH s’transmeton asgjë të shikueshme në interes të taksapaguesve, përveç teatrit parlamentarë që t’a shpif me ata aktorë të konsumuar e dalë boja. Rruga tjetër është lokali.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Jo se aty nuk kalohet bukur edhe me pak shpenzime, por për shkak të moshës, unë kërkoj pak më shumë rehati fizike, më pak zhurma dhe më shumë qetësi.

Detyruar nga këto rrethana, ka kohë që personalisht i ndjek ndeshjet e rëndësishme, të kombëtareeve shqiptare, të Shqipërisë e Kosovës, apo eventet e mëdha futbollistike, nga celulari, të cilin e vendos në një paisje të thjeshtë zmadhuese e “nxjerr sytë” aty duke i përcjell ato.

Minimalisht sa herë ndodh kjo, sjell në mendje djaloshin e veçantë, të shkolluar e me kulturë, Gëzim Prendi, që m’i pati mundësuar këto platforma vite më parë, kur për pak kohë punuam së bashku.

E falenderoj atë pa fjalë gjithnjë edhe për këtë, e zhytem në kujtesë… *** Ndeshja Australi – Egjypt, të premten e datës 3 korrik, të cilën po e ndiqja me shumë vëmendje, kryesisht nga pritshmëritë e një futbolli të bukur e surprizat që dhurojnë skuadra në dukje të vogla, më kishte mbërthyer gjatë në ekranin e celularit për shkak të kohës shtesë e gjuajtjes së penalltive, nëpër të cilat u desh të kalonte ajo, dhe isha gjysmë i përgjumur.

Zakonisht kësaj kohe kur shoh sportin nuk dua t’ia di as për mesazhe, as për telefonata që më detyrojnë të shkëputem nga ndeshja, por shfaqja e emrit të Vlash Prendit, në një mesazh të pas orës , nuk mund të ishte diçka për t’u neglizhuar. Gjithë entuaziast, ashtu si ia kishte injektuar në shpirt atij çasti i lumtur, më njoftonte se i biri, Gëzim Prendi, ishte shtuar me djalë!

U gëzova në kufijtë e gëzimit për nipin, e urova Vlashin dhe të birin, e nuk m’u dhimbs aspak ndeshja e humbur në disa çaste interesante të saj. *** Një pinjoll i familjes Prendi nga Skurajt e Kurbinit, sapo kishte ardhur në jetë, por tani në Italinë fqinje, ku koha e pashpirt e kishte zhvendosur Gëzimin, të birin e vetëm të Vlashit, bashkë me familjen e tij.

Gjysh Vlashit ia ndjeja ritmin e shtuar të zemrës në ato çaste bisede që kaluam së bashku, ndjeva edhe gëzimin e trenëve të shtëpisë së tij në atë kodrinë të bukur ballë Lumit Mat, të cilat po vallëzonin, por ndjeva edhe trishtimin e kohës, që na bëri të jetojmë larg evladit e t’i kemi në mall cicërimat e tyre.

Kujtova ato çaste të mrekullueshme kur unë u shtova me nip, e ku vendi vend nuk më zinte pa e marr atë në duart e mija, dhe dy pika loti më rrodhën pa kuptuar faqeve, ku m’u bë se hapën një brazdë aq të thellë sa bëra të ngrihem e të vrapoj para pasqyrës, për të parë veten, a isha apo s’isha unë?!

Gjithsesi Vlashi (dhe unë!) si gjithë shqiptarët i gëzohemi faktit se i kemi, pavarësisht distancës që ka hyrë mes trupave tanë, e fatmirësisht jo mes shpirtërash…

Komunikova me Gëzimin për t’a uruar, ndjeva se ai në ato çaste ndjehej më i plotë se kurrë dhe kur po ndahesha me të pas urimeve të çastit, me fjalët “Ju përqafoj”, ai ma ktheu: – Ju përqafoj edhe unë bashkë me Mateon! – E gëzoftë emrin e sjelltë fat në familjen tuaj të bukur!, – ia ktheva, ndërkohë që u zhyta përsëri në mendime.

Emrin Mateo s’është se e dëgjoja për të parën herë, por në ato çaste për herë të parë ky emër më ftonte t’a kuptoja pak më shumë atë. Nuk ishte nga ata emrat tipik katolik e verior, por më ngjante se “fliste shqip”. Mësova në vijim se ishte emër hebre, shqiptarizim i Mate, emër italian e spanjoll, dhe se domethënia e tij ishte “Dhuratë e Perëndisë”! – Bukur!, – thashë me vete.

Një ponjoll i lindur në Itali, dhuratë e perëndisë për vijimësinë e brezave në familjen e Vlash Kol Prendit në Skuraj të Kurbinit. *** Vlashin e kam mik zemre prej shumë vitesh.

E kam vizituar disa herë shtëpinë e tij, dhe pretendoj se ia njoh familjen e ecurinë e jetesës, por kurrë si këtë mbrëmbje s’isha thelluar kaq shumë në persiatjen e mendimeve rreth tij e familjes së tij të bukur, shpërndarë si zogjtë e shqipes në Itali, Angli e Shqipëri!

Ai është vëlla i vetëm, e Kola, babai i tij, ia ka besuar t’i trashëgonte trojet e familjes në Skurajt e lashtë të Kurbinit, n’atë kodrinë të bukur, aty në mes të gjelbërimit e ku flladi i lumit Mat frynë pa ia ndâ.

Ka punuar shumë për t’a transformuar jetesën aty, punon edhe sot edhe pse pensionist, e shpirti i dhemb kur i duhet që, prej disa vitesh, t’a mbyllë derën me dry, e të udhëtoje atje ku fle dashuria e tij: Gëzimi me familje, në Italinë fqinje, për të kaluar muajt e dimrit.

Kur kthehet andej “nuk flitet” me të, se vendi i duket i tjetërsuar, e puna për rikthim në normalitet i merr shumë ditë. Bashkë me Marien, të dy mësues, gjithë jetën në të njëjtën shkollë, lindën e rriten 5 fëmijë, 4 vajza e një djalë, me shumë sakrifica.

Ata mezi e pritën ardhjen në jetë të Gëzimit, por edhe ai, si i ati, mbeti një… *** I edukuar me tiparet më të mira njerëzore e familjare, Gëzimi u shkollua si jurist dhe punoi për pak kohë në institucione të rëndësishme shtetërore në Lezhë. Ai e lexonte ligjin siç ishte shkruar dhe e interpretonte rastin që i kërkohej t’i jepte udhë, në përputhje me ligjin, por kjo s’i vlente kohës së re.

Juristët që kurrë s’e mbaruan as arsimin e mesëm, njerëz analfabetë që s’shihnin asgjë përballë etjes kriminale për pasurim, ia ngushtuan Gëzimit shtegun, duke i lënë vetëm një rrugë të gjerë: derën e burgut, ose kthimin në shërbëtor. As njëra, as tjetra nuk ishin për të! Edukata familjare, shkollimi e karakteri individual, nuk ia pranonin asnjërën.

Vlashi dhe Maria mund t’i kishin rritur me bukë pak, por kurrë pa mësimet e duhura për jetën. S’i lanë rrugë të mesme, Ai, i martuar me një bashkëshorte mësuese në profesion e njeri të shkëlqyer nga Lezha, s’do t’ua kthente kurrë shpinën prindërve, as trojeve, as shoqërisë, nëse shteti do të ishte pak më i drejtë dhe bashkëshortja të punësohej në arsim, sektor që vuan për profesionistë.

Por… s’kishte para të paguante. Shtegu i vetëm i mbetur ishte emigracioni. Ishte e dhimbshme t’a shikoje atë djalë, për të cilin institucionet e shoqëria kishin nevojë,njëjtë si familja biologjike, të kyçte dy diploma universiteti (për respekt të djersës së derdhur, nuk i ka djeg!), t’u kthente shpinën prindërve të dashur e bashkë me gruan e vajzën e sapolindur, t’i turrej Italisë.

Ishte e dhimbshme të ndiqje përpjekjet e tij për t’iu kushtuar bujqësisë, punë që s’ishte marrë kurrë më parë, të mësonte gjuhën italjane e të siguronte shtëpi e jetesë për familjen. Pastaj e priste ndërtimi! Puna ku mundi fizik të dërmon, por familja duhet mbajtur me nder.

Si këndej, ashtu edhe andej, gjithçka vetëm me djersë, me shërbim korrekt e me respekt ndaj vetes, familjes e traditës. Gjithnjë i qeshur, i dashur e zemrën plot, pa i shfaqur as vështirësitë, as urrejtjen ndaj atyre që ishin kumbarët e emigrimit të tij, pa kohë e pa vend.

E buzëqeshja i shpërblehet tashmë me Mateon – “Dhuratë Perëndie”… *** Trojet “Prendi” në Skuraj, dy brezni me nga një mashkull, e kërkonin vijimësinë. Sa herë Gëzimit i përmendej kjo, do të merrje prej tij vetëm një buzëqeshje, a një përqafim të kandshëm. E dinte edhe ai merakun e Vlashit e Maries, ashtu si pritshmëritë e 4 motrave, por familja duhet mbajtur.

Të paktën të vijonte me nga një… E tash, kjo ditë e lumtur për të, për Silvanën bashkëshorten e tij, për Vlashin e Marien ka mbërritur, ndonëse me një ndryshim: Mateo Prendi do të shënojë në gjeneralitetet e tij – vendlindja Itali!

Pastë fat e jetë të lumtur, pasi ata prindër të mrekullueshëm që ka, gjyshërit që mezi presin t’a mbajnë në krahë dhe katër hallat e tij, kurrë s’kanë për t’a lenë atë pa vetëdijen e të qënit kurbinas krenar, pa e njohur dhe folur gjuhën e bukur shqipe; pa i lexuar librat e shumtë të shkruar nga gjyshi dhe pa e trashëguar bibliotekën e pasur të familjes.

Shtëpia e gjyshit ka dhoma pak për jetesë normale, por ka shumë hapësira e rafte mbushur me libra, e Mateo nuk ka për t’i lënë ato t’i mbuloje pluhuri i harresës dhe vetmia. Perëndia mundësoftë që rregulli “të prishet” e Mateo të mos mbetet i vetmi në udhën e vijimësisë së familjes Prendi.

Rrënjët tona tashmë kanë marrë dhenë, e po gjenden kudo nëpër botë, e kjo më gëzon sigurisht, por pikëpyetjet janë dhe vazhdojnë të jenë të mëdha. – A do të marrin jetë ndonjëherë trojet tona si dikur, apo do të mbeten ato “na ishte njëherë…”? – A do të na duket çudi kur në trojet e gjyshërve të mos flitet më shqip një ditë? – A do të përpiqemi të gjithë, shoqëria dhe shteti, që shqiptarët kudo ku jetojnë të ndjehen shqiptarë, të mos e harrojnë gjuhën e nënës e t’a mbajnë njërin sy nga ku vend i bekuar?

Apo jemi futur në një rrugë pa kthim ku termi troje, kombësi, gjuhë, traditë do të humbasin kuptimin në “kazanin” e madh, që gatuan qytetarë me identitet të ri internacional.

Burimi: Bota Sot