Grumbullimi i mbeturinave në shumë lagje të Prishtinës ka shkaktuar pakënaqësi dhe shqetësim te qytetarët, të cilët prej ditësh po përballen me kontejnerë të stërmbushur dhe mungesë të grumbullimit të rregullt të mbeturinave.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” ka pranuar se shërbimi nuk është realizuar plotësisht në disa pjesë të kryeqytetit, duke arsyetuar situatën me ndryshimin e orarit të operimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
“Ju njoftojmë se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndryshimeve në orarin e operimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila, në kuadër të organizimit të saj të brendshëm, ka vendosur mbylljen e deponisë në Mirash nga ora .
Ky ndryshim ka pamundësuar dhe do të pamundësojë edhe në ditët në vijim përfundimin e ciklit të planifikuar të operimit gjatë orëve të natës”, thuhet në njoftimin e kompanisë. “Pastrimi” ka paralajmëruar se vështirësitë në grumbullimin e mbeturinave pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.
Ndërkohë, banorët e kryeqytetit kanë shprehur shqetësim për grumbullimin e mbeturinave në hapësirat publike dhe mungesën e mirëmbajtjes. Sipas tyre, kundërmimi, ndotja dhe kushtet e papërshtatshme higjienike po rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe po ua vështirësojnë jetën e përditshme. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
