Kur do të mbushen mend një pjesë e madhe e diasporës, të cilët vetëm për inati ishte dashtë të mos udhëtojnë nëpër rrugët e Serbisë? E kuptojnë këta njerëz tanë se hakmarrja e Serbisë është në vazhimësi, ajo nuk ka mbaruar ndaj lirisë së Republikës tonë, Kosovës?
Pra, harresa jonë kolektive, si një fatkeqësi e përbashkët, duket sikur n’a është mbjellë në mentalitetin tonë si një lloj sindrome e pa shërueshme, përderisa mungojnë edhe ndjenjat më të ulëta morale për të gjitha ato familje që përjetuan dhunën, terrorin, dhunimin, vrasjet dhe zhdukjen e familjarëve të tyre!
Si është e mundur që vetëm për një grusht lekë, të lejojnë veten dhe të turpërohen publikisht përpara ndjenjave fashiste të politikës serbe? Këta, rrezikojnë jo vetëm vetëveten dhe familjen, por turpërojnë edhe shtetin e Kosovës, përderisa janë të shurdhër dhe nuk ndëgjojnë fare për rastet e përsëritura të dhunës, plaqkës dhe burgimit nëpër rrugët e Serbisë!
Se vërtetë janë të verbuer nga sytë dhe të mpirë nga mendja, kjo dëshmon veprimin e tyre të Don Kishotit. Është evidente se këta tipa, më shumë vlerësojnë djersën e vet, se sa gjakun e derdhur të shqipeve për këtë liri, për këtë shtet dhe për këtë komb të përvuajtur ndër shekuj! Mungesa e solidaritetit moral, me historitë e përgjakshme të kombit tonë, është kurora e përsëritjes së t’keqes!
Çka mundet shteti ynë me bë në këtë drejtim dhe për të mirën e të gjithë atyre që ngatërrohen nëpër rrugët e Serbisë? Përderisa këta shtegtarët tanë nuk janë të vetëdijshëm se çka luhet nëpër statistikat e politikës serbe, (me hyrje -daljet e e tyre nëpër Serbi) atëhere një masë ndëshkuese kishte me bë punë, pasi që këtu po bëhet fjalë pikërisht për lekun!
Kjo kishte me qenë mënyra më e mirë që të kuptojnë se janë kah e dëmtojnë imazhin e shtetit dhe vlerën e luftës çlirimtare! Prandaj, nëse këta udhëtarë/mërgimtarë i kanë për zemër simbolet e UÇK-s dhe të gjitha simbolet tjera të kombit, pyetja e rradhës kishte me qenë; si ndjehen atëhere kur policia serbe ua përdhosë për toke simbolet e shenjëta të kombit, ua fyen shtetin dhe UÇK-në?
