“Kushtetuta nuk kërkon 80 deputetë”/ Ramabaja kërkon ndryshim të

0%

Profesori Sadri Ramabaja ka reaguar përmes një postimi në Facebook, lidhur me çështjen e procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke kundërshtuar interpretimin se për zhvillimin e procesit kërkohet prania e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit.

Ai ka argumentuar se një kusht i tillë nuk gjendet në tekstin e Kushtetutës, por është rezultat i një interpretimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Ramabajës, ky interpretim ka krijuar mundësi për bllokada institucionale përmes bojkotit parlamentar, duke i dhënë opozitës një mjet për ta penguar funksionimin e institucioneve.

Ai ka kërkuar që procesi i zgjedhjes së Presidentit të trajtohet mbi bazën e tekstit dhe frymës së Kushtetutës, duke paralajmëruar se çështja mund të rikthehet për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, përcjell “Bota sot”. Shkrimi i plotë Kushtetuta nuk kërkon 80 deputetë në sallë – këtë e kërkon vetëm një interpretim i Gjykatës Kushtetuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në asnjë nen dhe në asnjë paragraf të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk ekziston dispozita që e kushtëzon zhvillimin e procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me praninë e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit.

Ky nuk është standard kushtetues, por produkt i një interpretimi të mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, i cili praktikisht i ka shtuar Kushtetutës një kusht që vetë ajo nuk e përmban. Pasoja e këtij interpretimi është krijimi i një instrumenti bllokues në duart e opozitës: mjafton bojkoti i seancës dhe institucioni i Presidentit mbetet peng i kalkulimeve politike.

Kjo nuk është logjikë kushtetuese, por logjikë e shantazhit parlamentar. Për këtë arsye, nëse nuk arrihet një marrëveshje për një kandidat konsensual, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të duhej ta pranonte edhe një herë imponimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Përkundrazi, do të ishte në interes të rendit kushtetues që Kuvendi të vazhdonte procedurën e zgjedhjes së Presidentit duke u mbështetur në tekstin dhe frymën e Kushtetutës, e jo në një standard që nuk gjendet në të. Nëse opozita e konsideron një veprim të tillë antikushtetues, rruga është e hapur: le ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo do t’i krijonte vetë Gjykatës mundësinë të rishqyrtojë jurisprudencën e saj dhe të përgjigjet në pyetjen themelore: a mundet një interpretim gjyqësor të krijojë detyrime që Kushtetuta nuk i njeh?

Shteti i së drejtës nuk ndërtohet mbi precedentë që e zëvendësojnë tekstin kushtetues, por mbi interpretimin që i shërben frymës së Kushtetutës, funksionalitetit të institucioneve dhe parimit demokratik të vendimmarrjes.

Në të kundërtën, çdo pakicë parlamentare do të mund ta mbante peng shtetin përmes bojkotit, duke e shndërruar një mekanizëm procedural në instrument të bllokadës së përhershme institucionale.

Burimi: Bota Sot