Pronat pa dokumente – Sa është numri i pronave që figurojnë në emër

0%

Rreth 200 mijë prona në Kosovë janë të regjistruara në emër të personave të vdekur. Kjo është bërë e ditur në raportin e BIRN Kosova për të drejtat pronësore, i cili është realizuar nga Fondi për Paqe dhe Shtetndërtim i Bankës Botërore, në kuadër të projektit PIAKOS, të zbatuar nga ATRC. Ky hulumtim shpërfaq ngecje serioze në procedurat e trashëgimisë së pronës.

Raporti konstaton se mbi 352 mijë e 836 prona, përkatësisht shtëpi dhe banesa, në vend, janë të palegalizuara, prandaj nuk mund të trashëgohen apo të barten. Vetëm 21 për qind e pronave janë në pronësi të grave. Ndërkaq, të dhënat nga fokus-grupet dhe intervistat e thella tregojnë se gratë detyrohen të vetëpërjashtohen për shkak të presionit të familjes dhe rrethanave shoqërore.

Sipas të dhënave, 45 për qind e grave heqin dorë vullnetarisht nga pjesa që u takon, kryesisht nën presionin e heshtur të familjarëve që të mos marrin pjesën e vëllait. Përfaqësimi në kontestet pronësore mund të kushtojë deri në 30 mijë euro, një barrë e papërballueshme për familjet që jetojnë në varfëri.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sot, gjykatat në Kosovë kanë mbi 35 mijë konteste pronësore aktive, ndërsa një rast zgjat mesatarisht katër vjet. Procesi i zhvillimit të trashëgimisë iniciohet pasi personi të ketë vdekur. Procedura është e thjeshtë dhe zhvillohet pranë zyrave të noterëve.

Megjithatë, raporti i BIRN-it ka konstatuar se qytetarët nuk e iniciojnë procesin dhe pronat vazhdojnë të mbahen të regjistruara në emër të pronarëve të vdekur. Sipas raportit, këto prona nuk mund të shiten, të blihen apo të vendosen nën hipotekë.

Gjyqtarë, noterë, avokatë dhe hulumtues të shoqërisë civile debatuan në emisionin “KALLXO Përnime” për problemet strukturore të trashëgimisë në Kosovë dhe të dhënat për pronat e regjistruara në emër të personave të vdekur. Noteri Isuf Jahmurataj tha se procedura e shqyrtimit të trashëgimisë në kuadër të sistemit noterial është shumë e thjeshtë.

“Sistemi noterial e konsideron shumë të suksesshme ato lëndë të cilat i trajton në procedurë të shqyrtimit të trashëgimisë dhe kemi qindra mijëra të tilla” – tha Jahmurataj. Ai shpjegoi se procesi i regjistrimit sipas detyrës zyrtare është i bllokuar për shkak të mungesës së zbatimit të obligimeve ligjore.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Argzon Muçaj, theksoi se çështjet pronësore nuk mund të trajtohen vetëm nga gjykata dhe se burimi i problemit fillon me nxjerrjen e certifikatës së vdekjes. Madje, sipas tij, njerëzit vazhdojnë t’i mbajnë pronat të regjistruara sipas marrëveshjeve kanunore.

“Kanë kaluar shumë gjenerata që nuk është bartur prona, ka mungesë të dokumentacionit, nuk mund të përcaktohet saktë trungu familjar. Ndoshta është e pamundur që procedura të kryhet jashtë gjykatës tek noteri” – tha nënkryetari. Ai potencoi se kur procesi kalon në gjykatë, çështja bëhet më komplekse. “Sepse ka numër të madh të trashëgimtarëve.

Gjykata ka për obligim t’i njoftojë të gjithë trashëgimtarët. Krijimi i kushteve është mjaft i mundimshëm, marrë parasysh se një numër i tyre mund të jetojë jashtë vendit, pastaj vjen në shprehje komunikimi juridik ndërkombëtar” – theksoi Muçaj.

Avokatja Saranda Keqekolla tregoi se cilat janë problemet me të cilat përballen palët që paraqiten për të qenë pjesë e trashëgimisë familjare, sidomos gratë dhe vajzat, të cilat, sipas saj, shpesh diskriminohen në të drejtën për të trashëguar pronë. “Burimi i problemit fillon aty te nxjerrja e dëshmisë mbi vdekjen ku vetë trashëgimtari shkon dhe i deklaron se kush janë trashëgimtarët.

Si avokate kam hasur probleme ku njëri nga vëllezërit ka shkuar, e ka deklaruar vetëm dikë nga familja dhe kështu ka përfituar pronën të cilën e ka lënë trashëgim babai” – rrëfeu avokatja. Raporti i BIRN Kosova nxjerr në pah se mosnisja e procedurave të trashëgimisë ex officio ka krijuar probleme të mëdha në regjistrimin e pronave.

Mungesa e inicimit të procedurave të trashëgimisë ex officio ka bërë që një numër i madh i pronave të mbeten të paregjistruara ose të vazhdojnë të figurojnë në emër të pronarëve që kanë vdekur. Kreshnik Gashi nga KALLXO.com tha se 60 deri në 70 për qind e pronave kanë probleme dhe konteste pronësie.

Sipas Gashit, kjo situatë është krijuar nga mospërmbushja e obligimeve të Zyrave të Gjendjes Civile për të nisur procedurat e kalimit të pronave te trashëgimtarët menjëherë pas vdekjes së pronarit. “Poashtu njerëzit janë të prirur të besojnë se janë pronarë të një ngastre pronësore vetëm për faktin se kanë mbyllur disa procedura të tjera.

Paguajnë tatimin në pronë ndërsa prona nuk është e regjistruar në kadastër në emrin e tyre” – tha Gashi. Deklarimi i trashëgimtarëve nga familjarët është obligim ligjor, ndërsa të shumta janë rastet kur është konstatuar se pas vdekjes së pronarit legjitim të një prone nuk janë deklaruar të gjithë trashëgimtarët.

Në emisionin “KALLXO Përnime” u theksua gjithashtu se ka raste kur qytetarët, përmes dokumenteve të falsifikuara dhe në mungesë të trashëgimtarëve legjitimë, tentojnë t’i tjetërsojnë pronat.

Gashi tha se institucionet fillimisht i paralajmërojnë bartësit e pronësisë për pasojat juridike që mund të kenë nëse nuk i përfshijnë apo nuk i deklarojnë vëllezërit dhe motrat në procedurën e trashëgimisë. Ndërsa avokatja Saranda Keqekolla tha se ka hasur raste të falsifikimit të dokumenteve, duke shtuar se kjo vjen edhe si pasojë e dënimeve të ulëta në raste të tilla.

“Duhet të punohet më shumë në informim. Ndalimi i viktimizimit në këtë drejtim është sensibilizimi. Pa dyshim se njerëz që jetojnë në zona rurale nuk i kanë këto informata. Ka edhe njerëz që jetojnë në qytet që merren me punë të tjera mirëpo për informata shumë bazike vijnë te avokati” – theksoi Keqekolla.

Nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Argzon Muçaj, tha në “KALLXO Përnime” se zgjidhja e çështjeve të pronësisë nuk është vetëm interes individual, por edhe interes i shtetit. Po ashtu, sipas tij, nëse bëhet konstatimi i saktë i pronarit, një pronë mund të vihet në qarkullim, të shfrytëzohet për kredi ose të bartet te një person tjetër.

Burimi: Kallxo