Kulla në Shëngjergj

0%

Deda e kaloi Fanin e Vogël dhe ngjiti të përpjetën drejt Gëziqit. Një verrkeqe e ndiqte mbrapa, ndërsa koka e tij ishte trazuar së tepërmi. Me vete mendonte kullën në atë majë të vogël kodre në Shëngjergj. Akoma nuk kishte dalë prej pyllit të lisit, kur dëgjoi të lehurat e qenve te kulla e parë e Gëziqit, ndërsa ai e hidhte këmbën pa e menduar mirë se ku po e vinte.

Nata kishte errësuar gjithçka, ndërsa verrkeqja, si një ogur i keq, ia shtonte lodhjen. Vendin e njihte mirë. Ai vetë kishte ndërtuar gjysmën e shtëpive të këtij katundi dhe në cilëndo që të thërriste, derën e kishte hapur. Por Deda ngutej të mbërrinte sa më parë te kulla e vet, për të cilën i kishin çuar fjalë se po shembej.

Po i afrohej kullës së Marka Prenajve, rrëzë së cilës binte udha e Bajrakut. Eh, ç’kullë, mendoi me vete dhe ofshani thellë. Nëpër mendje i erdhi çasti kur ishte hedhur guri i parë i themelit të saj. Vetë Preç Marku, djali i madh i Marka Prenit, pasi i kishte hequr këmborën dashit të madh të tufës, e kishte sjellë aty dhe, bash te shqimi i derës, e pati therur me dorën e vet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pastaj kokën ia kishte vënë në themelin e kullës. Edhe pse brirët qenë fort të gjatë, dy vëllezërit e tij, si dy lisa të fortë, e patën bërë zap flinë.

Marka Preni, atëherë shumë i moshuar, duke e mbajtur me zor peshën e tij, herë mbi këmbët e tejlodhura ndër vite, herë në shkopin që s’i ndahej nga dora, erdhi dhe, me duart që i dridheshin, bëri kryq bash aty, në shqimin e derës së lagur nga gjaku i flisë.

S’pati vonuar Abati; duke u kthyer prej Shkodre, qe ndalur të takonte plakun dhe, pasi kishin ngrënë drekë, vetë ai ishte ngritur e kishte bekuar të katër qoshet e kullës, duke dhënë kështu bekimin për djelmëninë që do të rritej në breza. Dhe, vërtet, tetë djem të kësaj kulle gjithë krahina do t’i kishte zili. Nami i saj kishte kapërcyer me kohë kufijtë e krahinës.

As vetë s’e kuptoi se si, por krejt papritmas, dëgjoi veten duke thënë: – Zot, bëju mirë këtyre njerëzve të mrekullueshëm. Për një hop e mbajti hapin, por menjëherë ndërroi mendje. – Ku të lënë këta të ikësh natën? – mendoi Deda. Ra teposhtë nga Përroi i Çakajve, duke e lënë në të djathtë kullën, e pastaj ngjiti një të përpjetë të vogël dhe doli në Kodrën e Kishës.

Verrkeqja filloi sërish të dëgjohej, tani më afër… Ndjeu një drithërimë t’ia përshkonte trupin. Ky zog i keq sikur ndjell kob… Kurrë në jetën e vet s’ishte trembur, edhe pse kishte rrugëtuar jo pak natën. Iu duk se edhe ndër varre dikush fliste. Të vdekurit…? Një Zot e di. Britma e trishtë tash sikur iu përplas në fytyrë bashkë me flladin e natës, por u mbajt.

Biseda ndër varre iu bë se vazhdonte. Ishte pikërisht në tokën e shenjtë, ndaj u ul në gjunjë dhe, me fytyrën nga ndërtesa e kishës, bëri kryq dhe iu lut Zotit. Diku jo larg prej këtej, sipas shumë të moshuarve, njëherë e një kohë kishte qenë Abacia e vjetër dhe thuajse të gjithë e dinin se fatkeqësia a hasmi e kishin fundosur atë qytezë të kahmotshme.

Po tani gjithçka e mbyste terri i natës, ndërsa qyteti ishte i humbur nën dhe. Po qysh dheu kishte mundur të thithte një qytet të tërë…? Zot, krejt ashtu ishte duke humbur kulla e tij. Mos!… Mos qoftë e thënë! Këngëkobi i zogut të keq u dëgjua përsëri, tashmë më afër. Aty, mbi degët e fojletës, thua se ai zë mortor u drejtohej të shumtëve të atyshëm.

Pastaj tri pushkë, njëra pas tjetrës. Një piskamë: – E kanë vra Pjetër Bokën, mor eeeeej! U ngrit në këmbë dhe i dha hapit teposhtë drejt Fanit të Madh, lugina e të cilit dukej sikur oshëtinte nga misteri i vrasjes. Në Kodrën e Stalosit vuri re se prej kullës së Marka Prenajve disa drita u nisën drejt kishës. U pendua pse s’kishte qëndruar për një çast.

Po, kur mendoi kullën e vet, i dha hapit edhe më shpejt… Zot, të mos u ketë ndodhur ndonjë gjë e keqe atyre! Ç’burra që janë! Ra teposhtë nga Laku i Krisë. Pastaj një e lehur qensh. – Qenkam afruar te stanet – tha me vete dhe, duke rënë teposhtë, e kuptoi se diku e kishte shmangur udhën. U mendua disa çaste e pastaj futi gishtin ndër buzë dhe ia dha një fishkëllime.

Qëndroi pak, mbajti vesh dhe përsëri fishkëlleu. Diku më poshtë dëgjoi një fishkëllimë tjetër gjegjëse. I dha hapit, udhë e pa udhë, derisa ra te stanet. Thirri dy a tri herë. Qentë sikur donin të këpusnin hekurat. U hap dera e stanit dhe, me një unë zjarri në dorë, u duk një djalë i ri, veshur me tirqe e në fill të këmishës. – Hej, or ti, jam një udhëtar.

Dua një dritë. – Eja, eja, – dëgjoi zërin ftues të djaloshit. – Tani është vonë, po rri sonte. Pastaj doli te dera një tjetër, veshur edhe ai me tirqe e me një çubuk në gojë. – Kush asht? – e pyeti të birin. – Një udhëtar, babë. Kërkon një dritë e thotë se don me udhëtue tash natën. – Hajde, or ti, se nuk jemi shue, se po bëjmë fe.

Deda ra teposhtë drejt stanit, ndërsa djaloshi urdhëroi qentë të pushonin. – Mirë se të pruni Zoti, or Dedë! – Ti je, or Preç!? – Po, Dedë. Hajde brenda! Këtu te stani jemi, po rrimë sonte e po bajmë kuvend. – Jo, për besë, s’dua t’ju trazoj. Më duhet një dritë, se due të mbërrij te kulla patjetër sonte. – Pse, a ka gjë të keqe? – Çfarë të të them? Dua një dritë, se më duhet të eci.

Në kokë akoma i shungullonte krisma e thatë, piskama dhe zëri i zogut ndjellakeq. – Kush është Pjetër Boka? – pyeti Deda. – Është i biri i Prengës, matanë Fanit të Vogël, përtej Mullinit n’Lugje. A ka ndonjë fjalë të keqe? – M’u ba se ndigjova një thirrmë se e kanë vra. – Çfarë thua, or burrë? E paskan shuar atë shtëpi. Eh, ç’djalë! Jetim e i vetëm. Pasoi një heshtje e shkurtër.

Djali i ri solli një krah me dru pishe. – Si me qenë Marka Prendi, – mendoi me vete Deda. – Është djali i vogël, Dedë, – sqaroi Preç Marku, kur pa se Deda e kishte përqendruar vështrimin tek ai. – Qenka rritur e bërë burrë. – Po çfarë halli ke, or Dedë, që don patjetër të shkosh sonte nëpër këtë natë të errët, që është si me fut gishtat ndër sy? – Mos i raftë kujt!

Është duke më humbur kulla teposhtë… – Luaj vendit, or burrë! Çfarë thua! – Për besë, kulla ime është duke humbur përditë në dhe. Tani, për të hyrë brenda, s’na merr më dera e jashtme. Një namë e zezë ka rënë në trojet e mia, – psherëtiu Deda. – Prej Blinishtit jam duke ardhur sot dhe dua të gjindem në kullë, se nuk e di çfarë po ngjet. Fëmijët e mi mund t’i zërë brenda.

Përditë humbet nganjë grimë e nganjë grimë. Preçi nuk po u besonte veshëve. – Më duhet të shkoj, s’bën të vonohem asnjë minutë. – Jo, or burrë, po ti prit dhjetë minuta sa të pimë ndonjë gotë raki e mandej shko. – Jo, jo, të faleminderit. Duhet të shkoj sa më shpejt. – Zef, shko përcille, – i tha të vëllait.

Zefi u ngrit, shkoi në dhomën tjetër dhe u vesh. – Ku po e çon Zefin? – pyeti Deda, pak si me ton. Preçi mbeti për pak çaste si pa gojë. – Dedë, jam duke ta dhënë Zefin me vete. Tash është natë e natës nuk i dihet. – Jo, he burrë! A thue kujtove se jam trembur? Unë kam ecë natën e ditën… – Po, – e ndërpreu tjetri, – Zefin jam duke ta dhënë me vete. Çfarë po e gjen Zefin?

Shkoni duke bërë muhabet një copë udhë. Me pishat në duar, të dy bashkë morën teposhten drejt Fanit të Madh. Me një frymë kishin ngjitur tërmalen, kur Deda ndaloi dhe, duke e falënderuar Zefin, iu lut të kthehej. Ai, i gjendur midis detyrës së vëllait të madh dhe këmbënguljes së Dedës, mbeti në mëdyshje. – Po unë si t’ia bëj… – Asnjë hap më tej, – e ndërpreu përsëri Deda.

Ndanë pishat e dritës dhe u nisën secili në udhë të vet. * * * Nuk i kishte mbetur edhe shumë dhe Deda do të gjendej në kullën e tij. Hyri në një rrugë të ngushtë përmes shqopnajës, që të çonte në Qafë-Vorrez. Thirravaji i zogut të keq u ndje përsëri, por tash diku më larg, ndoshta pikërisht mbi Qafë Vorrez.

Si një homazh mbi muranat e krushqve të vrarë ndërshoq, ndoshta atje mbi udhën e kalit që në shpinë mbante nusen e vdekur. Atje, pikërisht në atë qafë, kohët, legjendat dhe baladat ndërthureshin tragjikisht. Kur mbërriti te dera e kullës në Rrasë të Zezë, ora kishte kaluar dy pas mesnate. Një tis i errët, si petku i zisë, e kishte mbërthyer kullën. Si një ferr, mendoi me vete.

Kurrë në jetën e vet s’kishte ditur me true, ndërsa sonte e kishte çuar qoftëlargun nëpër mend disa herë. Më shumë se gjysma e katit të parë të kullës kishte humbur, sa dera kishte mbetur si një dritare e vogël rrëzë tokës, kurse shkallët e gurta të jashtme ishin anuar si bashi i një anijeje gjysmë të mbytur. Zgjati shkopin dhe i ra derës. Asgjë nuk u dëgjua brenda. I ra prapë, më fort.

Po zërat e grave e të fëmijëve vinin jo të plotë. – Shtriga… Shtriga ka ardhë te dera… Shtriga! Shtriga! Pastaj një zë gruaje që thërriste emrat e burrave. – Hapeni derën! – thirri me të madhe Deda. Zërat brenda u shtuan. Dëgjoi një foshnjë të qante. – Hapeni derën! – thirri prapë. – Jam Deda! Filloi të thërriste emrat e djemve. U hap dera dhe hyri brenda ashtu i dërmuar.

E rrethoi gjindja e shtëpisë, që edhe pse nuk fliste, dukej sikur thoshte: – Po ty, a nuk të la kush brenda? Pa folur asnjë fjalë, u ngrit dhe iu afrua plasës së murit, e cila ishte bërë më shumë se një pëllëmbë. U ngjit në katin e sipërm. Cupili i traut kishte ecur teposhtë më shumë se një shuplakë. – Ngrehuni! Shpejt, të dalim jashtë! – thirri Deda i tronditur. – Të gjithë jashtë kullës!

Me gjithçka kemi! Mëngjesi e zuri nën qiellin e zbrazët. Deda, i rraskapitur dhe i lodhur tej mase, vështronte fëmijët e strukur. Aty, në të zbardhur, e mbështeti kryet ndër duar dhe, brenda atij kotullimi, pa i mbyllur mirë sytë, iu bë se dëgjoi verrkeqen. Pastaj atë zë të djerrur që thërriste pa ndarë: – E kanë vrarë Pjetër Bokën, more ejjj…

Një plakë e vjetër, veshur krejt me të zeza, zgjaste duart prej kodrës ku ishin lisat e Drenit dhe ia ngulte thonjtë kullës së tij për ta ndarë më dysh. Në të njëjtën kohë, sa herë merrte frymë, grimë pas grime, e thithte teposhtë drejt zgrofit të vet tërë kullën, duke bërë që ajo të humbte ngadalë-ngadalë. Brofi njëherë në këmbë, sikur dikush ta kishte shpuar me thikë në zemër.

E pa se kishte bërë një veprim të papritur, pasi të gjithë ishin trembur, por nuk foli asnjë fjalë, veç mori sqeparin dhe nisi të gdhendte një bisht kazmeje. Vargu i njerëzve zbriti teposhtë dhe ra në atë shesh ku Deda kishte zënë familjarisht. Kishte ardhur krejt katundi me iu gjendur Dedës në këtë ditë.

Ndër ta ishte Preç Marku, me të cilin u përqafuan mirë e mirë. – Po, or Dedë, qeshë vetë në mort. Kob i zi qe. Plaku i vjetër, kapërcyer të tetëdhjetat, nuk mundi të mbahej aspak kur ia hodhën të nipin në gropë. Ka keq e më keq, po mos na raftë. Ti, prej Zotit, njerëzit e shtëpisë i ke shëndoshë e mirë. Kullën do ta ngresh prapë. Shtëpinë e ke plot, prej Zotit. Deda u ndie ngrohtë.

Kishin filluar t’i vinin miqtë e bukës dhe i thoshin fjalë të bardha. Shife, – mendoi me vete, – ky vjen e gjen këto fjalë ari bash në ditën më të zezë e të thotë: “Shtëpinë plot e ke.” I del fjala e mirë prej shpirtit dhe nuk ta bën zi, edhe pse e di mirë se ç’hall ke.

S’kaluan as gjashtë muaj, kur Deda ishte duke vënë tjegullat e kullës së re, kulla e vjetër humbte përditë teposhtë, sikur po zhytej bashkë me kujtesën e brezave që e kishin ngritur dhe plasat në mur hapeshin gjithnjë e më shumë.

Por meraku për kullën e vjetër e gërryente së brendshmi, aq sa shpesh kishte marrë pushkën dhe kishte bërë rojë gjithë natën, duke pritur atë gjë të padukshme që po e thithte teposhtë. Por asgjë nuk kishte mundur të vinte re. Në krye të vitit ra ta shihte prapë kullën. Hyri brenda, edhe pse kati i dytë kishte nisur të humbiste tash nën tokë dhe muri kishte nisur të hapej brinjazi.

U ul atje, rrëzë votrës së deformuar, dhe një gjumë zhegu i shkoi nëpër sy. Iu shfaq në ëndërr Abati që po vinte nga Shën Gjergji. Zuri vend në një minder, veshur e mbathur si mos më mirë, duke kuvenduar me të atin, i cili ishte gëzuar si me qenë djalë i ri. – Merre atë pushkë e shti një herë, – i tha Abati të atit.

Ai, duke qeshur, u ngrit prej vendit, mori pushkën, doli në dritare dhe shtiu njëherë. Pastaj thirri djalin e Dedës, ia dha pushkën në duar dhe i tha të shtinte edhe ai një herë.

I biri hodhi vështrimin nga Abati, i cili, duke qeshur, i tha: – Po, po, qit edhe ti një herë! – Bjere ta qes edhe unë! – tha Deda. – Jo, Dedë, – tha Abati, – ti merre pushkën tënde e qit me të, po deshe… – Dedë, Dedë! – dëgjoi të vëllanë duke e tundur për krahu. – Çohu e shkunde xhaketën, se je ba gjysh! Deda fërkoi sytë. – Ka le një djalë bash sot, ditën e Shna Noit.

Deda doli në dritaren e kullës. Një larë dielli hyri brenda saj. – Merr pushkën tënde e qit edhe ti, po deshe, – iu bë se i foli prapë Abati. Mori pushkën dhe shtiu tri herë, njëra pas tjetrës. U rrit nipi i vogël dhe një ditë iu afrua Dedës, që ishte duke kapur të nëntëdhjetat, dhe me të qeshur e pyeti: – Gjysh, po pse u shup kulla ashtu?

Si s’ma ke kallxue çfarë qe? – Dëgjo, bir, – ia priti aty për aty, me të qeshur, të nipit, që tash ishte në universitet. – Unë qeshë i zënë me kullën e re e s’pata kohë ta zbuloj pse u shup kulla e vjetër, po ti, tani që ke shkollë, bën mirë me më kallxue me të vërtetë pse humbte teposhtë kulla e vjetër, se unë gjithë jetën e kërkova përgjigjen e s’e gjeta dot.

Burimi: Bota Sot