FMN-ja pret që eurozona të rritet ekonomikisht me pak më shumë se 1% në vit deri më 2031. Megjithatë, disa nga rritjet më të shpejta ekonomike të Europës parashikohen në ekonomi më të vogla, me Ukrainën të goditur nga lufta në mesin e vendeve që pritet ta tejkalojë eurozonën me rritje dyfish më të madhe, ka raportuar të martën () Euronews .
Europa po përballet me vite të tëra rritjeje të avashta ekonomike. Borxhi i lartë publik, popullsia në plakje, produktiviteti i dobët, kostot e zgjatura të energjisë dhe pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike pritet ta mbajnë rritjen ekonomike poshtë normave historike në pjesën tjetër të dekadës.
Sipas Perspektivës më të fundit Ekonomike Botërore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), eurozona parashikohet të zgjerohet me vetëm 1.2% në vit mesatarisht ndërmjet viteve 2027 dhe 2031, me vitin e saj më produktiv më 2028, që shkon vetëm në 1.4%. Bashkimi Europian, më gjerë, ka rritje ekonomike pak më të mirë me 1.4% në vit, duke prekur përsëri kulmin më 2028 në 1.6%.
Kjo është pasqyra e përgjithshme. Prodhimi global parashikohet të rritet me rreth 3.2% në vit gjatë së njëjtës periudhë. Azia e zhvilluar dhe në zhvillim pritet të zgjerohet me rritje ekonomike prej 4.6% në vit dhe India me 6.5%, ndërsa edhe Afrika Nënsahariane është në rrugën e duhur për rritje ekonomike prej 4.6%.
Megjithatë, një grup vendesh shumë më të vogla europiane, që shtrihen nga Mesdheu deri në Ballkanin Perëndimor dhe Europën Lindore, parashikohet që gjatë pesë viteve të ardhshme të rriten më shumë se dyfishi i ritmit të eurozonës. 5-Moldavia: Reformat dhe integrimi në BE mbështesin rritjen ekonomike Moldavia parashikohet të ketë rritje ekonomike mesatare prej 3.5% në vit ndërmjet viteve 2027 dhe 2031, me rritjen më të fuqishme që parashihet më 2028 me rreth 3.7%.
Rimëkëmbja vjen pas një serie brutale tronditjesh: lufta në kufirin e saj, shtrëngimet energjetike dhe thatësira që e tkurri rritjen ekonomike afër zeros më 2024. Kthesa mbështetet në paratë dhe reformat e BE-së. Brukseli ia dha Moldavisë statusin e kandidates më 2022 dhe nisi bisedimet e pranimit më 2024, dhe Plani i Rritjes i BE-së tani po kanalizon fondet në investime publike.
Konsumi familjar,i cytur nga rritja e pagave dhe remitancat më vlerë sa një e dhjeta e PBB-së, përbëjnë pjesën më të madhe të hises së mbetur të rritjes ekonomike, ndërsa IT-ja dhe shërbimet e tjera prijnë sa i përket ofertës.
FMN-ja, në përfundimet e shqyrtimit të Artikullit IV të vitit 2025 në shkurt, vlerësonte se rimëkëmbja u “mbështet nga korrje-shirjet e bereqetshme, kërkesa e fortë e brendshme dhe financimi i konsiderueshëm i BE-së”. Fondi beson se ruajtja e vrullit të reformave do të jetë qenësore.
Paralajmërimi i vetë Fondit është i qartë: rreziqet më të mëdha janë lufta në Ukrainë dhe çdo rrëshqitje nga reformat të lidhura me BE-në. 4-Serbia: Bumi i investimeve e mban gjallë vrullin Serbia është pak përpara Moldavisë me normë mesatare vjetore të rritjes ekonomike prej 3.52%, dhe në mënyrë të pazakontë vrulli i saj bazohet në mundësitë e ardhshme në horizont, duke duke arritur kulmin gjatë viteve 2030-31.
Megjithatë, historia afatshkurtër dominohet nga një e dhënë e vetme. Beogradi në vitin e ardhshëm do të jetë nikoqir “Expo 2027”, panairit botëror që pritet të tërheqë miliona vizitorë.
Aktiviteti po nxit një supercikël ndërtimi dhe infrastrukture – autostrada, hekurudha dhe rizhvillim urban – përveç një baze eksporti prodhuese në zgjerim dhe investimeve të mëdha të mbështetura nga Kina në minierat e bakrit. Investimet publike, jo konsumi, janë motori kryesor i rritjes ekonomike serbe.
FMN-ja thotë se Serbia ka ndërtuar amortizatorë të rëndësishëm makroekonomikë pasi ka ulur me sukses inflacionin duke ruajtur disiplinën fiskale.
Rreziqet lidhen me tensionet politike para zgjedhjeve të vitit 2027 dhe ofrimin e sigurisë që investimet e shpejta publike të përkthehen në fitime të qëndrueshme të produktivitetit. 3-Ukraina: Rindërtimi bëhet motori i rritjes FMN-ja po parashikon rritje ekonomike mesatare vjetore prej 3.8% për Ukrainën dhe vit të shkëlqyer më 2028 me rritje ekonomike prej rreth 4.2%.
Parashikimi është hisotri e lidhur kryekëput me rindërtimin. Parashikimi, siç bën edhe projektimi bazë i FMN-së, spikat se lufta do të përfundojë dhe rindërtimi do të fillojë me seriozitet, duke nxitur valë investimesh kundrejt një vlerësimi të rindërtimit që Banka Botërore tani e vlerëson në vlerë prej gati 600 miliardë dollarësh.
Nëse heqim këtë supozim, pamja zymtohet theksueshëm: skenari negativ i Fondit, me luftimet që po vazhdojnë, parashikon rritje ekonomike prej vetëm 1% më 2027.
“Perspektiva mbetet jashtëzakonisht e pasigurt pasi lufta vazhdon të ketë ndikim të rëndë në popullsi dhe ekonomi”, ka thënë FMN-ja në vlerësimin e fundit të Artikullit IV. 2-Kosova: Kërkesa e brendshme mbetet jashtëzakonisht e qëndrueshme Kosova parashikohet të mbetet një nga ekonomitë me rritjen ekonomike më të shpejtë të Europës, pavarësisht madhësisë së saj relativisht të vogël.
Rritja pritet të konvergojë drejt rreth 4-përqindëshit, mbështetur nga konsumi i fortë i familjeve, investimet publike, të ardhurat nga diaspora dhe fuqia e re punëtore. “Zbatimi në kohë i Planit të Ri të Rritjes së BE-së mund të ofrojë nxitje shtesë për rritjen ekonomike dhe punësimin”, deklaron Fondi në raportin e tij të fundit të Artikullit IV mbi Kosovën.
Formatorët e rritjes janë të ndryshëm. Paratë e dërguara në vendlindje nga diaspora e madhe, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, financojnë si konsumin, njashtu edhe investimet në biznes, ndërsa shpenzimet publike në infrastrukturë dhe sektori bankar në rritje i shtohen kësaj përzierjeje.
Dobësia është ana tjetër e medaljes: rritja ekonomike prihet nga kërkesa dhe importet, dhe vendi ende nuk ka ndërtuar bazë konkurruese eksportesh. 1-Malta: Ekonomia me rritjen më të shpejtë në Evropë Malta kryeson renditjen e FMN-së për rritjen ekonomike afatmesme europiane. FMN-ja pret që gjatë pesë viteve të ardhshme ekonomia të rritet me gati 4% në vit.
Gjatë dekadës së fundit, ishulli është rritur me gati 7% në vit fal mbështetjes nga turizmi, lojërat online dhe shërbimet profesionale dhe financiare, duke tërhequr punëtorë të huaj për t’i punësuar në ekonominë në lulëzim. Ky model tani po maturohet.
Me papunësinë afër niveleve rekord të ulëta dhe mungesën e fuqisë punëtore që intensifikohen, Malta nuk mund të mbështetet më vetëm në rritjen e shpejtë të fuqisë punëtore.
Siç vuri në dukje FMN-ja, “fluksi i punëtorëve të huaj që nxiti aktivitetin ekonomik në të kaluarën ka dëmtuar njashtu infrastrukturën dhe shërbimet publike, duke nxjerrë në pah kufijtë e modelit aktual të rritjes me fuqi punëtore intensive”. Faza tjetër e suksesit ekonomik të Maltës do të varet më pak nga rritja e fuqisë punëtore dhe më shumë nga rritjet e produktivitetit.
Sipas FMN-së, forcimi i financave publike, ndërkohë që rriten investimet në infrastrukturë, arsim dhe inovacion, do të jenë kritike për rritjen e potencialit afatgjatë të rritjes së ekonomisë. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
