Një gjykatë në Paris ka mbështetur të martën () dënimin e Marine Le Penit për përvetësim – por ia ka hapur asaj rrugën të kandidojë në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027, raporton BBC. Gjykata e Apelit e ka dënuar lideren e së djathtës ekstreme, Le Pen, me tre vjet burgim, me dy vjet të pezulluara dhe me vendosjen e një byzylyku elektronik.
Pas gjykimit më 2025, udhëheqëses së ekstremit të djathtë iu shqiptua një dënim me katër vjet burgim, me dy vjet të pezulluara dhe dy të tjerat për t’i vuajtur nën mbikëqyrjen e pajisjes elektronike të përcjelljes.
Çështja lidhet me akuzat se Le Pen dhe figura të tjera të partisë së saj, “Tubimi Kombëtar” (RN) kanë përdorur në mënyrë të paligjshme fonde të Parlamentit Europian për të paguar punonjës që punonin për partinë në Francë dhe jo si asistentë parlamentarë në Bruksel.
Për të njëjtën çështje janë shpallur fajtorë edhe më shumë se 20 anëtarë të tjerë të partisë, ndërsa apeli i shqyrtuar sot përfshinte 11 prej tyre. Asaj gjithashtu fillimisht iu shqiptua vendimi për ndalim pesëvjeçar nga kandidimi për poste publike, i cili sot është reduktuar në 15 muaj.
Kjo do të thotë që Le Pen tani teknikisht mund të kandidojë për presidencën franceze – por bazuar në fjalët e saj të thëna më parë, nuk do të kandidojë në këto kushte, shkruan redaktorja e faqes digjitale të BBC-së. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
