Përzgjedhësi i Belgjikës, Rudi Garcia, zbuloi detaje nga biseda që pati pas ndeshjes me sulmuesin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Folarin Balogun, pas përballjes së ngarkuar në fazën e 1/8 së finales të Kupës së Botës në Seattle.
Baloguni ishte titullar për bashkëorganizatorët të hënën mbrëma, por nuk arriti të linte gjurmë, pasi Belgjika triumfoi me rezultatin 4-1 falë golave të Charles De Ketelaere (2), Hans Vanaken dhe Romelu Lukaku.
Lukaku dukej se e festoi golin e tij në minutat shtesë duke imituar lëvizjen karakteristike të Donald Trumpit, i cili vallëzon me këngën e fushatës së tij “Y.M.C.A.” nga grupi Village People.
Pas përfundimit të ndeshjes, llogaria zyrtare e Belgjikës në rrjetet sociale publikoi një fotografi të Lukakut me mbishkrimin: “Përmbyseni këtë”, një tjetër mesazh që dukej se i referohej lejimit të Balogunit për të luajtur në Seattle.
Para fillimit të takimit, FIFA pezulloi dënimin me një ndeshje të Balogunit, i cili ishte ndëshkuar në fitoren 2-0 të SHBA-së ndaj Bosnjë dhe Hercegovinës javën e kaluar, pasi presidenti amerikan Donald Trump kërkoi personalisht nga organi qeverisës i futbollit që ta rishqyrtonte incidentin.
UEFA akuzoi FIFA-n se kishte “kaluar një vijë të kuqe”, duke shtuar se vendimi ishte “i pakuptueshëm dhe i pajustifikueshëm”, ndërsa Federata Mbretërore Belge e Futbollit (RBFA) deklaroi se ishte “e habitur” nga ky vendim. Duke folur para ndeshjes, Rudi Garcia e bëri të qartë qëndrimin e tij për këtë çështje.
“Nuk e dija që në Kupën e Botës, 5 korriku ishte në fakt 1 prilli – Dita e Gënjeshtrave. Ne nuk po mbrojmë kombëtaren apo federatën, por po mbrojmë futbollin me etikën dhe integritetin e tij”, tha ai. Garcia ishte shumë kritik ndaj vendimit të FIFA-s për ta anuluar në thelb kartonin e kuq të Balogunit, por theksoi se nuk ka asnjë pakënaqësi personale ndaj sulmuesit të Monacos.
“Folarin Balogun erdhi të fliste me mua”, tha Garcia në konferencën për shtyp pas ndeshjes, sipas gazetarit Ben Jacobs. “Më pëlqeu kjo. Nuk është faji i tij. Ai nuk është personi që duhet fajësuar dhe këtë ia thashë edhe atij. E vlerësoj që erdhi të bisedonte me mua.” Edhe Baloguni u pyet për polemikat rreth kartonit të kuq gjatë deklaratës së tij pas ndeshjes.
“Kur një vendim i tillë përmbyset, sigurisht që do të ketë polemika”, u tha ai gazetarëve. “Prandaj, për mua nuk ishte diçka që më befasoi shumë. Por si lojtar, detyra ime është vetëm të dal në fushë dhe të përqendrohem te puna ime” , e mbylli ai.
