KallxoPernime – Si po e trajton Prokuoria rastin e vdekjes së 26-vjeçarit në vendin e punës në Prizren?

0%

Kallxo Përnime ka publikuar reportazhin për vdekjen e punëtorit 26-vjecar në vendin e tij të punës në Prizren. Ky emision sjell detaje nga hetimet e Prokurorisë dhe Policisë për ngjarjen, duke treguar se i riu u godit nga një pjesë metalike e pompës së betonit gjatë punimeve në ndërtimin e një objekti shumëkatësh.

Momenti i aksidentit është regjistruar nga kamerat e sigurisë së objektit, pamje të cilat tashmë janë siguruar nga organet e hetuesisë dhe po analizohen për të sqaruar rrethanat që çuan në vdekjen e punëtorit.

Prokurori i rastit, Lutfi Morina, ka bërë të ditur se menjëherë pas ngjarjes janë ndërmarrë veprimet e para hetimore, duke përfshirë sigurimin e provave, intervistimin e dëshmitarëve dhe arrestimin e mbikëqyrësit të punimeve. Ndaj tij është kërkuar edhe caktimi i masës së paraburgimit, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tutje, Morina theksoi se rastet e aksidenteve në punë vazhdojnë të mbeten shqetësuese, sidomos në sektorin e ndërtimtarisë. Sipas të dhënave të prezantuara, vetëm në Prokurorinë Themelore në Prizren janë regjistruar rreth 40 raste të aksidenteve në punë, ndërsa rasti i 26-vjeçarit është i pesti i evidentuar gjatë vitit 2026.

Morina tha se në shumë raste punëtorët e lënduar tërhiqen nga ndjekja penale, pasi pranojnë se kanë qenë të pakujdesshëm gjatë punës dhe se punëdhënësi më pas mbulon shpenzimet.

“Shumica e punëtorëve, në prokurori dhe në prezencë time, kanë pranuar se ata vetë kanë qenë të pakujdesshëm gjatë punës dhe punëdhënësi pas aksidentit është kujdesur për të gjitha shpenzimet, andaj ata gjithmonë tërhiqen nga ndjekja penale dhe nuk kërkojnë dëmshpërblim”- ka thënë Morina.

Por, ai theksoi se në rastet kur konstatohet se nuk janë respektuar rregullat që e rregullojnë ndërtimin dhe sigurinë në vendin e punës, prokuroria vazhdon procedimin edhe nëse viktimat tërhiqen nga ndjekja penale.

“Megjithatë, duke marrë parasysh se Kodi Penal thirret në ligjet që e rregullojnë ndërtimin në vendin e punës, nëse punëdhënësi nuk i ka respektuar rregullat që dalin nga aktet pozitive, ne gjithmonë do t’i gjejmë përgjegjës, edhe nëse viktimat tërhiqen, sepse është vepër penale”- ka shtuar Morina.

Në këtë edicion të “Kallxo Përnime” u trajtua edhe mungesën e trajnimeve për sigurinë dhe shëndetin në punë, që sipas hetuesve mbetet një ndër faktorët kryesorë që ndikon në numrin e aksidenteve në kantieret e ndërtimit. “Në shumicën e rasteve në vendpunishte të ndërtimit të lartë, Inspektorati i Punës ka gjetur se punëtorët nuk janë të trajnuar për punën që bëjnë”- tha prokurori Morina.

Në pjesën e dytë të emisionit, ekipi i Kallxo.com ka ndjekur nga afër inspektimet e Inspektoratit të Punës në Podujevë dhe Mitrovicë, ku janë evidentuar shkelje serioze të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë në kompani ndërtimore.

Burimi: Kallxo