Irani deklaroi se nuk janë planifikuar bisedime me Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim, edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Teherani “ka kërkuar takim” dhe se negociatat do të zhvillohen më 30 qershor në Katar.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, tha se një ekip teknik iranian do të udhëtojë këtë javë në Doha, por se vizita nuk ka asnjë lidhje me zyrtarët amerikanë që do të jenë në Katar. “ Nuk do të kemi negociata me palën amerikane në asnjë nivel gjatë ditëve në vijim.
Fakti që përfaqësuesit amerikanë po udhëtojnë drejt Katarit, nuk ka asnjë lidhje me vizitën e delegacionit iranian”, tha Baqaei. Ai i bëri komentet pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani shkëmbyen sulme gjatë fundjavës, duke rritur sërish tensionet mes dy vendeve.
Më herët, më 29 qershor, Trump shkroi në rrjetin Truth Social se “Irani ka kërkuar takim” dhe se ai “do të zhvillohet nesër në Doha”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se të dërguarit e presidentit Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, do të udhëtojnë në Doha për bisedime me Iranin.
“I dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të udhëtojnë këtë javë drejt Dohës për takime të nivelit të lartë, ndërsa vazhdojmë diskutimet për memorandumin e mirëkuptimit. Krahas këtyre takimeve, do të zhvillohen edhe bisedime në nivel teknik”, tha ajo në një intervistë për Fox News më 29 qershor.
Baqaei, në anën tjetër, tha se ekipi teknik iranian po udhëton në Doha për të diskutuar lirimin e rreth 6 miliardë dollarëve të aseteve të ngrira iraniane, që mbahen në Katar. Lirimi i këtyre fondeve është pjesë e një memorandumi mirëkuptimi të nënshkruar nga Teherani dhe Uashingtoni më 17 qershor, me synimin për t’i dhënë fund luftës disamujore.
Megjithatë, zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, tha më herët, më 29 qershor, se grupi teknik i punës nuk ishte planifikuar të mblidhej gjatë kësaj jave.
“Edhe pse konsultimet me Katarin, përfshirë ato për zbatimin e angazhimeve të palës tjetër, po vazhdojnë si zakonisht, njoftimet e disa mediave se në Doha po mbahen bisedime teknike të grupeve të punës, nuk mund të konfirmoh en”, tha Gharibabadi për agjencinë iraniane të lajmeve Tasnim.
Ai shtoi se rundi i parë i bisedimeve teknike do të zhvillohet vetëm pasi të krijohen kushtet e nevojshme dhe të arrihet marrëveshje për datën dhe vendin e takimit. Sipas tij, konsultimet për këtë çështje po vazhdojnë përmes vendeve ndërmjetëse.
Këto deklarata vijnë pasi Irani refuzoi të takohej me negociatorët amerikanë më 28 qershor, duke argumentuar se sulmet amerikane ndaj vendit dhe “shkelja e memorandumit të mirëkuptimit” e kanë bërë të pamundur zhvillimin e takimit. “ Një nga arsyet është të verifikohet nëse kemi qasje në fondet e zhbllokuara.
Nëse nuk kemi qasje, atëherë ky kusht nuk është përmbushur” , tha Mehdi Fazaeli, zyrtar i zyrës së udhëheqësit suprem të Iranit. Presidenti iranian, Masud Pezeshkian, njoftoi më 29 qershor se asetet iraniane që mbahen aktualisht në Katar, do t’i kthehen Teheranit. Megjithatë, zyrtarët amerikanë thonë se, deri më tani, nuk është liruar asnjë nga asetet e ngrira të Iranit.
Sulme të ndërsjella Gjatë fundjavës, Irani sulmoi anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke nxitur forcat amerikane të godasin radarë bregdetarë dhe objekte ushtarake iraniane, me arsyetimin se po mbronin lundrimin tregtar.
Më 28 qershor, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi se Teherani ka rimarrë kontrollin e plotë të lundrimit në Ngushticën e Hormuzit për 30 ditët e ardhshme. Ai paralajmëroi se çdo përpjekje për të përdorur korridore detare jashtë atyre të miratuara nga Irani, do t’i përshkallëzonte tensionet.
“Çdo ndërhyrje ose përpjekje për të krijuar struktura paralele vetëm se do ta komplikonte situatën, do të rriste tensionet dhe do ta vononte rihapjen e kësaj rruge strategjike detare”, tha Araqchi, duke përsëritur se përgjegjësia për Ngushticën e Hormuzit i takon vetëm Iranit.
Po atë ditë, Irani lëshoi raketa dhe dronë ndaj bazave ushtarake amerikane në Kuvajt dhe Bahrejn, pak pasi presidenti Trump paralajmëroi se Uashingtoni mund ta përshkallëzojë fushatën ushtarake nëse Teherani nuk respekton armëpushimin.
“M und të vijë një moment kur nuk do të mund të jemi më të arsyeshëm ”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara “mund ta përfundojnë ushtarakisht misionin” e nisur më 28 shkurt.
Përshkallëzimi ndodhi disa orë pasi SHBA-ja kreu sulme ndaj objekteve ushtarake iraniane, të cilat, sipas Uashingtonit, ishin përgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se kishte goditur depo dronësh, instalime radarësh dhe infrastrukturë bregdetare të mbikëqyrjes, pasi një cisternë nafte u godit nga një dron iranian më 27 qershor.
Trump dhe presidenti iranian, Masud Pezeshkian, nënshkruan një memorandum mirëkuptimi me 14 pika, që u jep palëve 60 ditë kohë për të negociuar një marrëveshje përfundimtare për përfundimin e luftës. Katari dhe Pakistani veprojnë si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit në këtë rund bisedimesh.
Marrëveshja e përkohshme synonte t’u jepte fund luftimeve që shpërthyen pas sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit në fund të shkurtit, si dhe të mundësonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun tregtar. / REL
