Një i mitur është ndaluar për 48 orë nën dyshimet për përfshirje në grabitjen e tri shtetaseve të Kolumbisë në Prishtinë, rast që po hetohet nga autoritetet kompetente, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali. Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja kishte ndodhur më 17 qershor, rreth orës , në rrugën “Agim Ramadani”.
Tri shtetaset kolumbiane kishin deklaruar se ishin përcjellë nga rreth gjashtë persona deri te banesa ku po qëndronin. Sipas dëshmive të tyre, të dyshuarit kishin hyrë me forcë në banesë, i kishin futur në një dhomë dhe, nën kërcënimin e një thike, u kishin marrë rreth 300 euro dhe katër telefona të llojit iPhone.
Burimet bëjnë të ditur se pas sigurimit të video-incizimeve nga objekti banesor, hetuesit kanë vërejtur gjashtë persona duke u larguar nga hyrja e ndërtesës, ndërsa pas tyre shihej edhe njëra nga viktimat duke i ndjekur.
Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit nga Departamenti për Krime të Rënda, rasti ishte iniciuar si “Grabitje”, ndërsa hetimet kanë vazhduar për identifikimin e personave të dyshuar. Sipas informacioneve të fundit, Sektori Rajonal i Hetimeve ka intervistuar një të dyshuar në prani të avokatit mbrojtës.
Për shkak se i dyshuari është i mitur, për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit nga Departamenti për të Mitur, i cili ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
