Mbrojtësi i Argjentinës, Nicolas Tagliafico, ka deklaruar se Lionel Messi po luan në një nivel edhe më të lartë sesa në Botërorin e vitit 2022, ku skuadra latinoamerikane kishte dalur kampion. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundit të fazës së grupeve kundër Jordanisë, Tagliafico pritet të jetë titullar për herë të parë në këtë Botëror.
Ai ka theksuar se Argjentina synon ta mbyllë fazën e grupeve me tri fitore dhe pa pësuar gol. “Ne hyjmë në çdo ndeshje për të fituar. Synimi ynë është ta përfundojmë grupin me nëntë pikë dhe, nëse është e mundur, pa pranuar asnjë gol”, është shprehur ai. Tagliafico e ka vlerësuar mentalitetin fitues të skuadrës si sekretin kryesor të suksesit të Argjentinës.
“Çdo lojtar që vjen në kombëtare dëshiron të japë maksimumin për ekipin dhe shokët e skuadrës. Kur bashkon lojtarë me këtë mentalitet dhe me cilësi të lartë, krijohet një ekip shumë i vështirë për t’u mposhtur”, është shprehur ai. Në fund, mbrojtësi ka rezervuar fjalët më të mira për kapitenin Lionel Messi. “Leo është në të njëjtin nivel si në Botërorin e Katarit, ndoshta edhe më mirë.
Jemi të lumtur që e kemi me ne. Nuk duhet t’i bëjmë presion atij apo vetes, sepse skuadra vazhdon të punojë me të njëjtën harmoni si gjithmonë”, ka thënë Tagliafico.
