Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, më , mori pjesë në tryezën e organizuar për Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, me ç’rast rikujtoi se Kosova ka Strategjinë Shtetërore kundër Drogave 2024-2028.
Derisa foli për rëndësinë e edukimit të të rinjve, rolin e institucioneve si dhe nevojën për trajtim adekuat të personave që kanë nevojë, ajo tha se Kosova, edhe pse e ka strategjinë shtetërore, prapëseprapë kjo çështje nuk zgjidhet me një dokument të vetëm, por kërkon punë të vazhdueshme në parandalimin, trajtimin dhe zbatimin e ligjit.
“Kjo ditë është thirrje për më shumë përgjegjësi, më shumë koordinim dhe më shumë veprim. Të mos presim që varësia të trokasë në derën e familjeve tona për të reaguar. Ta mbrojmë secilin të ri nga kurthi i drogës, ta mbrojmë shoqërinë nga trafikimi dhe ta mbrojmë shtetin nga krimi i organizuar.
Çdo jetë e shpëtuar nga varësia është fitore për familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë” – tha u.d presidentja Haxhiu. Abuzimin me drogat dhe trafikimin e tyre, ajo e cilësoi si një ndër rreziqet më serioze që i kanosen rinisë dhe sigurisë shoqërore në vend.
Për këto rreziqe, ajo tha se duhet folur pa paragjykime duke theksuar pasojat që kanosen nga përdorimi i drogave, “para se problemi të shfaqet në familje si krizë”. Haxhiu potencoi se vëmendje të madhe duhet t’u kushtohet shkollave bazuar në faktin se po raportohet vazhdimisht për praninë apo shitjen e substancave narkotike pranë tyre.
“Rreziku që afrohet te oborri i shkollës e bën parandalimin detyrë të menjëhershme të familjes, shkollës, institucioneve dhe gjithë komunitetit. Parandalimi fillon me informim të saktë, me psikologë e pedagogë, me mësimdhënës të trajnuar, me prindër të përfshirë dhe me gjuhë që të rinjtë e kuptojnë.
Nëse të rinjtë dëgjojnë për drogat vetëm nga rruga, nga rrjetet sociale apo nga ata që përfitojnë prej tyre, institucionet nuk do të mund të ndikojnë mjaftueshëm” – tha Haxhiu. Ajo tha se kjo çështje kërkon mobilizim të gjerë shoqëror dhe përgjegjësi të qartë nga secili institucion.
Personat që veçse kanë krijuar varësi, sipas saj, nuk duhet të trajtohen si kriminel apo trafikant, por si njerëz që ka nevojë për trajtim, mbështetje dhe rehabilitim në shoqëri.
Presidentja në detyrë në vazhdën e fjalimit potencoi rëndësinë e institucioneve për të cilat thanë se ndaj trafikantëve duhet të jenë të pakompromis ndërsa për personat të cilët kanë krijuar varësi institucionet duhet të jenë poashtu të pakompromis për duke u kujdes dhe ofruar ndihmë.
Drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth”, Safet Blakaj, siç raporton EO, theksoi se përdorimi problematik i drogave është në rritje dhe se kapacitetet e vendit për trajtim dhe parandalim mbeten të kufizuara.
Ai kërkoi fuqizim të programeve parandaluese dhe përshpejtim të krijimit të qendrave të specializuara për rehabilitimin e përdoruesve të substancave narkotike, duke paralajmëruar se situata kërkon veprim të shpejtë institucional. Edhe pjesëmarrësit e tjerë vlerësuan nevojën për koordinim më të madh institucional dhe shoqëror në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të drogave në Kosovë.
