Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, mori pjesë në Asamblenë e 67-të të Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (PABSEK), që u mbajt më 30 qershor dhe në Tbilisi, Gjeorgji.
Në ceremoninë e hapjes së Asamblesë së Përgjithshme, Kryetari Gashi iu drejtua delegacioneve të vendeve-anëtare të PABSEK-ut, duke shprehur përkushtimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik.
Në fjalimin e tij, Gashi i përshëndeti nikoqirët dhe theksoi se rajoni i Detit të Zi është një korridor vital për lidhshmërinë, tregtinë dhe kontaktet ndërkombëtare. Ai theksoi se ky rajon është i pasur me histori, kulturë dhe potencial, por përballet edhe me sfida të shumta që kërkojnë përpjekje kolektive dhe solidaritet.
Pa dallim nëse bëhet fjalë për zhvillimin ekonomik, sigurinë, mbrojtjen e mjedisit jetësor apo kohezionin social, e ardhmja jonë e përbashkët varet nga forca e bashkëpunimit dhe lidhjeve që ndërtojmë sot.
Kryetari Gashi e theksoi veçanërisht rëndësinë e përfshirjes dhe pjesëmarrjes së barabartë të të gjithë faktorëve në dialogun rajonal, duke theksuar se vetëm përmes qasjes gjithëpërfshirëse dhe inkluzive mund të arrihet zhvillimi i qëndrueshëm dhe harmonia shoqërore.
Në këtë drejtim, ai e riafirmoi përcaktimin e palëkundur të Maqedonisë së Veriut për integrimin në BE, duke vlerësuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO jo vetëm si një zgjedhje strategjike, por edhe si një rrugë thelbësore për forcimin e sovranitetit, sigurisë dhe prosperitetit të vendit.
Në fjalimin e tij, Kryetari Gashi theksoi gjithashtu se vendet e rajonit, pavarësisht dallimeve të tyre, ndajnë interesa dhe aspirata të përbashkëta për të jetuar në paqe, për përparim ekonomik dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët e tyre, veçanërisht për brezat e rinj.
Përveç pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të PABSEK-ut, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, po realizon edhe një vizitë zyrtare dypalëshe në Tbilisi me ftesë të Kryetarit të Parlamentit të Gjeorgjisë.
Në kuadër të kësaj vizite, dy kryetarët e parlamenteve pritet të shkëmbejnë qëndrime mbi çështjet aktuale që lidhen me sigurinë rajonale, diplomacinë parlamentare dhe perspektivat e thellimit të bashkëpunimit midis dy vendeve.
