Interi ka njoftuar largimin e dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të viteve të fundit, portierit Yann Sommer dhe mbrojtësit Francesco Acerbi, duke i dhënë fund dy bashkëpunimeve që u shoqëruan me suksese të shumta dhe trofe.
Portieri zviceran e mbyll aventurën e tij pas tre sezonesh me fanellën zikaltër, gjatë të cilave fitoi katër trofe dhe u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të skuadrës.
Klubi veçoi në mënyrë të veçantë paraqitjen e tij në gjysmëfinalen ndaj Barcelonës, kur pritja spektakolare ndaj goditjes së Lamine Yamal në vazhdime mbetet një nga momentet më të paharrueshme të viteve të fundit në “San Siro”.
Interi theksoi se qetësia, siguria dhe aftësitë e Sommerit, si në mbrojtjen e portës ashtu edhe në ndërtimin e lojës me këmbë, ishin vendimtare në sukseset e ekipit. Njëkohësisht, klubi i dha lamtumirën edhe Francesco Acerbit, i cili largohet pas katër sezonesh, gjatë të cilave fitoi gjashtë trofe me zikaltërit.
Interi e përshkroi mbrojtësin italian si simbol të besimit, përvojës dhe karakterit, duke kujtuar se ai fitoi shpejt vendin e titullarit dhe besimin e tifozëve falë paraqitjeve të tij të forta ndaj sulmuesve më të mirë në Serie A dhe Ligën e Kampionëve.
Sipas klubit, Acerbi u dallua jo vetëm për sigurinë në mbrojtje, por edhe për aftësinë për të qenë vendimtar në momentet më të rëndësishme të ndeshjeve.
Me largimin e Yann Sommer dhe Francesco Acerbit, Interi mbyll një kapitull të rëndësishëm të historisë së tij të fundit, duke i dhënë lamtumirën dy futbollistëve që kontribuuan ndjeshëm në sukseset e skuadrës dhe fitimin e trofeve gjatë viteve të fundit.
