Për të arritur larg në futboll nuk mjafton emri që mban mbi shpinë, as aftësitë e mbinatyrshme. Fakt që te Franca u konfirmua në tre takimet e para të Kupës së Botës, me “Gjelat” që tashmë kanë nisur të këndojnë në veshët e rivalëve. Ekipi francez tregoi se nuk varet nga një individ i vetëm dhe se edhe pa një Mbappé në kulmin e formës, ka shumë alternativa për të bërë diferencën.
Katërshja e sulmit Kylian Mbappé, Désiré Doué, Ousmane Dembélé dhe Michael Olise nuk ka nevojë të jetë perfekte në të njëjtën kohë. Edhe disa paraqitje të mira janë të mjaftueshme që Franca të jetë një skuadër e frikshme ndaj çdo kundërshtari. Fitorja 4–1 ndaj Norvegjisë ishte prova më e qartë e kësaj force.
Mbappé ishte pranë golit që në sekondat e para, kur goditi traversën pas vetëm 22 sekondash lojë. Por këtë herë skenën e mori Ousmane Dembélé. Dyshimet për rolin e tij, sidomos duke qenë se Mbappé aktivizohet si qendërsulmues, u zhdukën shpejt.
Në krahun e djathtë, 29-vjeçari gjeti hapësirën ideale për të shfaqur gjithë cilësitë e tij: depërtime të fuqishme nga krahu, kundërshtarë të lënë pas dhe goditje me forcë të jashtëzakonshme. për të mos u përsëritur, ai e ndryshoi stilin te goli i tretë, një devijim, dy lëvizje mashtruese dhe një goditje e saktë me të majtën drejt cepit të portës.
Një paraqitje e nivelit botëror që u shpërblye me duartrokitje nga tifozët kur u zëvendësua. Një tjetër protagonist ishte Mike Maignan. Portieri francez konfirmoi edhe një herë se është ndër më të mirët në botë në pozicionin e tij. I njohur për aftësinë ndaj penalltive edhe te Milan, Maignan priti edhe një 11-metërsh në Kupën e Botës, duke neutralizuar gjuajtjen e Strand Larsen.
Pritja dukej e thjeshtë, por pas saj fshihej përgatitje, analizë dhe cilësia e një portieri elitar. Përveç penalltisë, ndërhyrjet e tjera të tij e bënë një nga lojtarët më të spikatur të ndeshjes. Në mesfushë, Manu Koné vazhdoi të tregojë pse është një element i rëndësishëm për Francën.
Me një lëvizshmëri të jashtëzakonshme, aftësi në driblim dhe një punë të madhe fizike, ai kontrollon ritmin e lojës dhe i jep skuadrës ekuilibër. Pa të, fazat eliminatore mund të bëhen më të komplikuara, pasi pak mesfushorë francezë sjellin të njëjtën energji dhe ndikim. Franca jo vetëm që përmbushi objektivin, por tregoi se ka një grup lojtarësh të aftë të vendosin ndeshjet në çdo moment.
Mesazhi për rivalët është i qartë: “Gjelat” janë gati.
