Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të ruajë mbështetjen e saj në Komunën e Drenasit edhe në këto zgjedhje, pavarësisht pjesëmarrjes më të ulët të qytetarëve në votime.
Kështu vlerëson Egzona Terdevci, e cila në një prononcim për “Bota sot” tha se rezultati i arritur dëshmon se partia vazhdon të ketë një elektorat të qëndrueshëm, ndërsa veçoi si zhvillim pozitiv rritjen e mbështetjes nga mërgata.
Sipas saj, në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 4.224 vota në Komunën e Drenasit, duke ruajtur në përgjithësi përqindjen e mbështetjes që kishte edhe në zgjedhjet e kaluara. “Në këto zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 4,224 vota në Komunën e Drenasit. Përgjëthsisht kemi arritur të ruajmë rezultatin në përqindje që kemi pasur në zgjedhjet e kaluara.
Por dalja e vogël e votuesve ka afektuar edhe komunën tonë edhe rezultatin e zgjedhjeve”, theksoi ajo. Terdevci theksoi se dalja e vogël e votuesve ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor, jo vetëm për subjektin që ajo përfaqëson, por edhe në nivel komunal.
Egzona Terdevci “Një zhvillim i rëndësishëm është se në votimin e mërgatës kësaj radhe përveç që kemi dalë forca e parë politike, kemi shënuar edhe rritje të numrit të votave në krahasim me të gjitha zgjedhjet paraprake”, thotë ajo.
Duke komentuar rezultatet, Terdevci u shpreh se ato tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka një bazë stabile votuesish, e cila, sipas saj, është në rritje të vazhdueshme. “Ne besojmë se ky është një proces gradual dhe se mbështetja qytetare për programin tonë vazhdon të zgjerohet. Presim që shumë shpejt të bëhemi forca kryesore politike edhe në Drenas”, deklaroi ajo.
