Çerekfinalja e Kupës së Botës mes Francës dhe Marokut, që do të zhvillohet në Boston, do të hyjë në histori për një arsye të veçantë: për herë të parë në këtë turne, të pesë zyrtarët e caktuar për ndeshjen do të jenë nga i njëjti shtet.
Franca siguroi kualifikimin pas fitores së vështirë 1-0 ndaj Paraguait në fazën e 1/8 së finales, në një ndeshje të tensionuar ku lojtarët paraguajanë vazhdimisht i shënjestruan kundërshtarët, përfshirë yllin dhe kapitenin Kylian Mbappe. Maroku, ndërkohë, kaloi tutje pas fitores ndaj Holandës me penallti, pasi ndeshja kishte përfunduar 1-1 pas 120 minutash lojë.
Kjo çerekfinale do të jetë një përsëritje e gjysmëfinales së Botërorit 2022 në Katar, ku Franca fitoi 2-0 ndaj Marokut, para se më pas të humbiste finalen e madhe ndaj Argjentinës pas penalltive. Pesë gjyqtarë argjentinas për të njëjtën ndeshje Ndeshja Francë–Marok do të drejtohet nga arbitri Facundo Tello, i cili do të jetë pjesë e një ekipi plotësisht argjentinas.
Të pesë zyrtarët e pranishëm në stadium do të jenë nga Argjentina. Tello do të ndihmohet nga asistentët Juan Pablo Belatti dhe Gabriel Chade, ndërsa Dario Herrera do të jetë gjyqtar i katërt. Cristian Navarro është caktuar si asistent rezervë. Vendimi i FIFA-s ka ngritur pikëpyetje te tifozët në rrjetet sociale.
Edhe pse kjo është hera e parë që një ndeshje në Kupën e Botës do të drejtohet nga pesë zyrtarë të të njëjtit shtet, nuk është e pazakontë që arbitri kryesor dhe asistentët e tij të vijnë nga i njëjti vend.
Për shembull, fitorja dramatike e Anglisë 3-2 ndaj Meksikës në fazën e 1/8 së finales u drejtua nga një treshe arbitrash australianë, ndërsa gjyqtari i katërt dhe zyrtari rezervë ishin nga Maroku. Po ashtu, në fitoren 3-2 të Argjentinës ndaj Egjiptit të martën, ishin caktuar tre zyrtarë francezë në fushë, si dhe dy të tjerë në dhomën e VAR-it.
Vendimi i FIFA-s për emërimin e arbitrave në ndeshjen Francë–Marok u mor të hënën, pra para sfidës Argjentinë–Egjipt. Ndërkohë, emrat e zyrtarëve të VAR-it për këtë çerekfinale ende nuk janë konfirmuar.
Egjipti ishte ankuar për gjykimin ndaj Argjentinës Sulmuesi i Egjiptit, Mostafa Ziko, kishte kritikuar ashpër arbitrin francez Francois Letexier pas humbjes së skuadrës së tij ndaj Argjentinës. “Arbitri nuk ishte i mirë. Ishte i padrejtë. Padrejtësia e tij ishte e qartë. Na përndoqi që nga fillimi i ndeshjes. Ai nuk donte që ne të fitonim”, deklaroi Ziko para gazetarëve.
Këto ankesa kanë bërë që vendimet e FIFA-s për caktimin e arbitrave në ndeshjet e mëdha të fazës eliminatore të marrin edhe më shumë vëmendje. Kush do ta gjykojë finalen e Botërorit 2026? FIFA nuk vendos për arbitrin e finales së Kupës së Botës derisa të konfirmohen dy skuadrat finaliste, pasi një gjyqtar nuk mund të drejtojë një ndeshje ku luan kombëtarja e tij.
Polaku Szymon Marciniak, i cili drejtoi finalen e vitit 2022 mes Argjentinës dhe Francës, mund të jetë sërish kandidat për finalen e Botërorit 2026. Një tjetër opsion është holandezi Danny Makkelie, sidomos pas eliminimit të hershëm të Holandës nga Maroku në raundin e 1/16 së finales.
CONMEBOL, konfederata e futbollit të Amerikës së Jugut, ka dërguar 12 arbitra në këtë Botëror, përfshirë edhe brazilianin Raphael Claus. Nëse Claus caktohet për finalen, ai mund të ketë një takim jo të zakonshëm me presidentin amerikan Donald Trump, i cili pritet të jetë i pranishëm dhe t’ua dorëzojë trofeun fituesve, edhe pse deri më tani nuk është parë në asnjë ndeshje të turneut.
Polemikat rreth Raphael Claus dhe SHBA-së Trump e kishte quajtur Claus “shumë të dyshimtë” pasi arbitri brazilian përjashtoi Folarin Balogun pas rishikimit në VAR, në fitoren 2-0 të Shteteve të Bashkuara ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Vendimi i Claus shkaktoi polemika të mëdha.
Trump madje thuhet se telefonoi personalisht presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për t’i kërkuar rishikimin e ndëshkimit. Më pas, FIFA vendosi ta pezullonte efektin e kartonit të kuq të Balogun për një periudhë njëvjeçare, duke i lejuar atij të luante kundër Belgjikës. Ky vendim u kritikua ashpër. SHBA-ja më pas u eliminua nga Belgjika, duke humbur 4-1 të hënën.
I pyetur për ndërhyrjen e administratës së tij në Shtëpinë e Bardhë për rishikimin e kartonit të kuq, Trump tha për Claus: “Nëse e kontrolloni të kaluarën e tij… nuk dua ta them këtë, sepse nuk më pëlqen të krijoj polemika, por është shumë i dyshimtë.” Collina del në mbrojtje të arbitrit brazilian Kreu i arbitrave në FIFA, Pierluigi Collina, reagoi duke e mbrojtur fuqishëm Raphael Claus.
“FIFA e njeh Raphael Claus si një nga arbitrat profesionistë më të mirë në botë dhe si një anëtar të vlerësuar të ekipit të arbitrave në Kupën e Botës”, tha Collina.
“Gjatë gjithë karrierës së tij, ai ka treguar vazhdimisht standardet më të larta të profesionalizmit dhe integritetit.” Collina shtoi se Claus po merr pjesë në Botërorin e tij të dytë, pasi kishte qenë pjesë edhe e turneut në Katar në vitin 2022. “Ai është një arbitër me përvojë dhe shumë i respektuar. Ne kemi besim të plotë tek ai si një zyrtar i besueshëm i ndeshjeve”, përfundoi Collina.
