Është zbardhur rasti i të shtënave me armë që alarmoi Policinë në orët e para të mëngjesit në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë. Pas intervistimit të të dyshuarve, njëri prej tyre ka pranuar se ka shtënë me armë dhe se arma e sekuestruar ishte në pronësi të tij, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës në parkingun e ADO Auto-sallonit, ku Policia kishte gjetur një pistoletë të tipit “Radikal”, 12 gëzhoja dhe 3 fishekë brenda armës.
Fillimisht, në vendin e ngjarjes u shoqëruan Evan Haliti, 32 vjeçar, Alban Fazliu, 28 vjeçar dhe Roland Fazliu, 25 vjeçar, por për shkak se ndodheshin nën ndikimin e alkoolit, intervistimi i tyre ishte shtyrë. Pas marrjes në pyetje, Evan Haliti ka pranuar se ai kishte përdorur armën dhe se pistoleta ishte në pronësi të tij.
Pas këtij zhvillimi, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është rikualifikuar, duke iu shtuar edhe vepra penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ndërkohë, Alban Fazliu dhe Roland Fazliu janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa Evan Haliti është ndaluar për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
