Behgjet Pacolli ka reaguar ashpër ndaj gazetarit Berat Buzhala, pas kronikës së këtij të fundit për Aeroportin e Vlorës. Pacolli i ka cilësuar të pavërteta dhe shpifëse pretendimet e Buzhalës, duke mbrojtur punëtorët e aeroportit si njerëz të lirë dhe me dinjitet, ndërsa ka kritikuar edhe atë që e ka quajtur ndryshim të qëndrimeve të gazetarit ndaj figurave publike, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë Miq e qytetarë të dashur! Gjykimin ua lë juve!!! Ky publikim vjen pas kronikës mercenariste e Berat Buzhales nga Aeroporti i Vlorës, një kronikë e mbushur me shpifje dhe të pavërteta. Berat Buzhala, punëtorët e Aeroportit të Vlorës nuk janë skllevër të askujt. Janë njerëz të lirë, me dinjitet dhe me të drejtën të zgjedhin vetë se ku punojnë, çfarë mendojnë dhe si veprojnë.
Pas orarit të punës secili shkon në familjen e vet! Nëse ti e sheh marrëdhënien e punës si skllavëri, kjo flet më shumë për mënyrën se si e koncepton ti punën sesa për mijëra njerëz që çdo ditë punojnë me ndershmëri. Ironia është se sot i quan të tjerët “skllevër”, ndërkohë që shpesh ke kaluar nga sulmet e ashpra ndaj njerëzve apo figurave publike në mbështetje të tyre.
Kjo nuk është domosdoshmërisht pavarësi mendimi. Punëtorët e lirë meritojnë më shumë respekt se kaq.
