Charles Leclerc është rikthyer te fitorja në Formula 1, pasi triumfoi në një Çmim të Madh dramatik të Britanisë në Silverstone, duke i dhuruar Ferrarit suksesin e parë pas gati dy vitesh në këtë pistë. Piloti i Ferrarit përfitoi nga kaosi në xhirot e fundit të garës, e cila përfundoi pas veturës së sigurisë, ndërsa Max Verstappen u tërhoq pas një aksidenti katër xhiro para fundit.
Gara dukej se po shkonte në favor të liderit të kampionatit, Kimi Antonelli, i cili mbante vendin e dytë, por gjithçka ndryshoi kur italiani u detyrua të hynte në bokse për shkak të një problemi me mbrojtësen e gomës së përparme të majtë.
Antonelli u rikthye në pistë dhe arriti ta përfundonte garën në vendin e nëntë, por një penalizim prej pesë sekondash për tejkalim të kufijve të pistës e zbriti në pozitën e 16-të. Në fund, George Russell përfitoi nga zhvillimet për ta mbyllur garën në vendin e dytë me Mercedesin, duke ngushtuar diferencën në garën për titull ndaj Antonellit në vetëm 25 pikë.
That winning feeling again! 🥳 #F1 #BritishGP @ScuderiaFerrari pic.twitter.com/CaFNO22T02 — Formula 1 (@F1) July 5, 2026 Lewis Hamilton kompletoi podiumin për Ferrarin, pavarësisht një penalizimi prej pesë sekondash për nisje të parakohshme. Në fund të garës pati konfuzion edhe me veturën e sigurisë.
Fillimisht u krijua përshtypja se ajo do të largohej për t’i lënë pilotët të zhvillonin edhe një xhiro me ritëm gare, por mbeti në pistë deri pranë vijës së finishit, duke ua mohuar tifozëve një fund spektakolar. Pas triumfit, Leclerc nuk e fshehu emocionin. “Ndihem jashtëzakonisht mirë.
Fatkeqësisht fundi nuk ishte ai që do ta kisha ëndërruar, por të fitosh pas javëve të fundit që kanë qenë shumë të vështira është diçka e veçantë”. “E gjithë puna që kemi bërë për ta rikthyer ndjesinë e duhur me veturën dha rezultat. Mendoj se gjeta diçka mes garës sprint dhe kualifikimeve, ndërsa sot e konfirmova. Jam jashtëzakonisht i lumtur”, deklaroi piloti i Ferrarit.
The top 10 at Silverstone 👇 #F1 #BritishGP pic.twitter.com/frRgIWq5vT — Formula 1 (@F1) July 5, 2026 Edhe George Russell pranoi se pati fat në përfundimin e garës. “Së pari, urime Charlesit, zhvilloi një garë shumë të mirë. Jam shumë i lumtur për podiumin tim të parë në Silverstone”. “Ishte një garë me fat për mua. Pata shpimin e gomës, por vetura e sigurisë më ndihmoi në fund.
Do të kishte qenë fantastike për tifozët nëse gara do të rifillonte, por gomat e mia ishin ftohur plotësisht dhe isha i lumtur që e ruajta vendin e dytë”, u shpreh britaniku. Lewis Hamilton përgëzoi bashkëlojtarin e tij për triumfin. “Urime të mëdha për Charlesin. Të fitosh në këtë pistë është diçka shumë e veçantë dhe ky është një rezultat fantastik për Ferrarin”.
“Unë nuk e pata ritmin sot. Bëra një nisje të parakohshme dhe mora penalizim prej pesë sekondash, ndërsa Charles ishte më i shpejtë se unë. Luftova me ekuilibrin e veturës, por dhashë gjithçka dhe jam i lumtur që përfundova në podium”, tha Hamilton. Fundjava në Silverstone hyri gjithashtu në histori edhe për numrin rekord të tifozëve.
Gjatë katër ditëve të aktivitetit, 564 mijë spektatorë ishin të pranishëm në pistën britanike, duke vendosur rekordin e ri të Formula 1 dhe duke kaluar shifrën prej 520 mijë tifozësh të regjistruar në Çmimin e Madh të Australisë në Adelaide në vitin 1995./ Telegrafi
