Arsenali po shtyn përpara për të finalizuar transferimin e Julian Alvarezit para nisjes së fazës përgatitore verore, ndërsa konkurrenca për sulmuesin argjentinas është zvogëluar ndjeshëm, raporton “The Independent”. Sipas raportit, Alvarez është i hapur për një kalim në “Emirates”, edhe pse dëshira e tij fillestare ishte të vazhdonte karrierën në Spanjë, te Barcelona ose Real Madridi.
Megjithatë, Atletico Madridi nuk ka asnjë dëshirë ta shesë sulmuesin te rivalët e drejtpërdrejtë në La Liga dhe ka shprehur publikisht pakënaqësinë për interesimin e dy klubeve. Edhe PSG-ja kishte ndjekur situatën e 26-vjeçarit, por interesi i kampionëve të Francës konsiderohet më shumë eksplorues, pasi ata po shqyrtojnë disa alternativa për repartin ofensiv.
Kjo ka bërë që Arsenali të intensifikojë bisedimet për transferimin e Alvarezit, i cili prej kohësh është objektivi kryesor ofensiv i trajnerit Mikel Arteta. Për shkak të vështirësisë së marrëveshjes, londinezët kishin analizuar edhe opsione të tjera gjatë merkatos. Pengesa kryesore mbetet çmimi i kartonit.
Arsenali nuk është i gatshëm të paguajë më shumë se 90 milionë funte, ndërsa Atletico Madridi kërkon mbi 100 milionë funte për të lënë të lirë sulmuesin argjentinas. Në negociata do të përfshihet edhe drejtori sportiv i Arsenalit, Andrea Berta, i cili pritet të luajë një rol kyç falë lidhjeve të tij me ish-klubin Atletico Madrid./ Telegrafi
