Anthony Joshua në formë të jashtëzakonshme para duelit me Kristian

0%

Anthony Joshua ka zbuluar fizikun e tij mbresëlënës vetëm pak javë para rikthimit në ring. Boksieri britanik do të përballet me boksierin shqiptar Kristian Prenga më 25 korrik, në ndeshjen e tij të parë që nga dhjetori. Joshua rikthehet pas një periudhe të vështirë, e cila u shoqërua me shumë pikëpyetje për të ardhmen e tij në boks.

Pas fitores ndaj Jake Paul, ai u përfshi në një aksident fatal automobilistik, ku humbën jetën dy miq të tij. Megjithatë, ish-kampioni i botës duket i vendosur të rikthehet fuqishëm. Përballja me Prengën shihet si një ndeshje para supersfidës së shumëpërfolur ndaj Tyson Fury, e cila vazhdon të jetë në planet e të dy palëve.

Pas disa viteve me ndryshime në ekipin e tij, Joshua ka nisur bashkëpunimin me disa pjesëtarë të stafit të ish-rivalit Oleksandr Usyk. Ai u lidh me këtë ekip para duelit ndaj Jake Paul, ndeshje në të cilën britaniku triumfoi, por pësoi edhe një dëmtim në nofull që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale. Ndërkohë, Kristian Prenga hyn në këtë duel me vetëm një humbje në karrierën e tij profesionale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Boksieri shqiptar ka zhvilluar 20 ndeshje dhe të gjitha janë mbyllur para gongut final, por përballja me Joshuan do të jetë testi më i madh i karrierës së tij. Për Prengën, kjo do të jetë jo vetëm një sfidë sportive, por edhe një provë përballë vëmendjes së madhe mediatike që shoqëron një duel me një prej emrave më të njohur të boksit botëror.

Joshua ka publikuar së fundmi disa fotografi nga kampi i tij stërvitor, duke treguar se përgatitjet po ecin sipas planit. Në mbishkrimin e postimit të tij, ai shkroi: “Aftësitë paguajnë faturat”. Britaniku shfaqet në formë të shkëlqyer fizike dhe duket i gatshëm për rikthimin në ring.

Megjithatë, e gjithë puna e tij po bëhet me synimin për të realizuar në fund të vitit përballjen e shumëpritur me Tyson Fury. Edhe Fury do të rikthehet në ring gjatë këtij muaji, pasi do të përballet me polakun Mariusz Wach në Tajlandë, një natë para ndeshjes së Joshuas ndaj Prengës. Pavarësisht spekulimeve për duelin ndaj Furyt, fokusi i Anthony Joshuas mbetet te Kristian Prenga.

Objektivi i tij është që të kryejë punën më 25 korrik dhe të dëshmojë se është gati për një tjetër kapitull të madh në karrierën e tij.

Burimi: Telegrafi