Me bekimin e shtetit tonë, Ansambli “TROJET” drejt një misioni kulturor në SHBA

0%

Cyrih, – Para nisjes sonë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Ansambli “TROJET” me qendër në Winterthur të Zvicrës do të përfaqësojë kulturën dhe traditën tonë kombëtare nga evropa për në New York dhe Detroit, patëm kënaqësinë dhe nderin të zhvillojmë një vizitë në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, ku u pritëm ngrohtësisht nga Konsulli i Përgjithshëm, z.

Vigan Berisha. Gjatë këtij takimi miqësor dhe shumë domethënës, e njoftuam Konsullin për rrugëtimin tonë kulturor në SHBA, për organizimin dhe sfidat e këtij misioni, si dhe për qëllimin që bartim me krenari: promovimin e kulturës shqiptare, forcimin e lidhjeve me mërgatën tonë dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me shoqata, institucione kulturore dhe institucione shtetërore shqiptare në Amerikë.

Po ashtu, prezantuam shkurtimisht historinë, aktivitetet dhe misionin e Ansamblit “TROJET”, i cili prej vitesh punon me përkushtim në ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë kombëtare. Me këtë rast, e uruam z.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Berisha dhe stafin e Konsullatës për ngritjen e përfaqësisë sonë diplomatike në statusin e Konsullatës së Përgjithshme, duke i dëshiruar suksese të vazhdueshme në shërbim të qytetarëve tanë dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe diasporës shqiptare. Për ne, kjo vizitë kishte një domethënie të veçantë.

Për shtetin e Kosovës kanë sakrifikuar gjenerata të tëra, brez pas brezi, derisa sot e gëzojmë lirinë dhe shtetin tonë. Pikërisht për këtë arsye, për ne që jetojmë dhe veprojmë në mërgatë, sa herë që shohim Konsullatën apo Ambasadën e Republikës së Kosovës, na duket sikur kemi hyrë në atdhe. Ato janë shtëpia jonë institucionale, simbol i shtetit për të cilin është sakrifikuar aq shumë.

Nuk mund ta imagjinonim nisjen e këtij rrugëtimi drejt Amerikës pa u ndalur në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, siç thuhet në popull, për të marrë bekimin dhe mbështetjen morale të shtetit tonë. Sepse kur kemi përkrahjen e shtetit, qoftë ajo morale apo materiale, ndihemi më të fuqishëm, më të motivuar dhe më të sigurt në misionin që përfaqësojmë.

Këtë herë, Ansambli “TROJET” po merr pjesë në një ngjarje të veçantë kulturore dhe në një datë të veçantë, ku më 2 korrik do të prezantohemi në festivalin përkatës, duke përfaqësuar me krenari kulturën, traditat dhe vlerat tona kombëtare para publikut ndërkombëtar.

Ansambli “TROJET” mbetet i hapur për bashkëpunime të sinqerta dhe të qëndrueshme me institucionet tona, në funksion të promovimit të kulturës shqiptare dhe ruajtjes së identitetit tonë kombëtar për brezat që vijnë. Shprehim falënderimin tonë të veçantë për mikpritjen, kohën dhe gatishmërinë e treguar nga Konsulli i Përgjithshëm, z. Vigan Berisha.

Për shumë nga anëtarët tanë, veçanërisht të rinjtë, kjo vizitë ishte jo vetëm një kënaqësi, por edhe një përjetim emocional e frymëzues. Vizita në Konsullatën e Republikës së Kosovës dhe takimi me përfaqësuesit e shtetit tonë ishte një moment krenarie, që forcon ndjenjën e përkatësisë dhe përgjegjësisë për të përfaqësuar me dinjitet kombin tonë kudo në botë.

Njëkohësisht, shpresojmë që në të ardhmen të kemi edhe më shumë mbështetje institucionale dhe financiare nga shteti ynë, jo vetëm për aktivitetet tona, por edhe për të frymëzuar gjeneratat e reja. Është e rëndësishme që të rinjtë tanë të ndiejnë se kanë shtet dhe se shteti kujdeset për bijat dhe bijtë e vet kudo që ndodhen.

Brezat e mëparshëm janë rritur me ëndrrën për ta pasur shtetin e tyre, ndërsa sot kemi përgjegjësinë që këtë ndjenjë krenarie dhe përkatësie ta përcjellim te gjeneratat që po vijnë. Mbështetja, frymëzimi dhe vëmendja institucionale na japin forcë, motivim dhe dashuri edhe më të madhe për punën që bëjmë në shërbim të kulturës sonë kombëtare.

Me besimin se kultura është një nga ambasadorët më të fuqishëm të një kombi, nisim këtë rrugëtim përtej Atlantikut me krenari, përgjegjësi dhe dashuri për atdheun. Ansambli “TROJET” Ruajmë traditën, përfaqësojmë kombin!

Burimi: Bota Sot