Në Universitetin e Prishtinës ka ushtrues detyre qe 12 vjet. Në fakt, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur në këtë universitet 9 pozita me ushtrues detyre për një periudhë më të gjatë se një vit. Sipas raportit të ZKA-së, pesë pozita me ushtrues detyre janë në Administratën Qendrore të UP-së, të cilat e kanë tejkaluar afatin ligjor të lejuar nga 1 muaj deri në 12 vite.
Kurse, në njësitë akademike janë katër pozita, ku afatet e lejuara ligjore janë tejkaluar nga 7 deri në 14 muaj. “Kjo kishte ndodhur për shkak se Universiteti i Prishtinës, në rastin e pozitave të Administratës Qendrore, nuk kishte ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i plotësuar pozitat vakante.
Ndërsa, në njësitë akademike kjo gjendje u krijua si rezultat i dështimit të konkursit, i cili edhe pse ishte shpallur nga vetë UP, është anuluar.” – thuhet në raportin e ZKA-së për UP-në. ZKA vlerëson se mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë më të gjatë se periudha e lejuar, krijon pasiguri në vendimmarrje dhe në përgjegjësitë e funksioneve kyçe.
“Është në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe ndikon negativisht në efektivitetin e administratës dhe njësive akademike.” – ka konstatuar ZKA. Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës i udhëhequr nga rektori Arben Hajrullahu nuk është pajtuar me këtë gjetje të ZKA-së.
Përkundër kësaj, ZKA i ka rekomanduar rektorit që të sigurojë respektimin e afateve ligjore të përcaktuara më ligj për caktimin e zyrtarëve në pozita të rregullta si ushtrues detyre, duke ndërmarrë veprimet për fillimin dhe përfundimin e procedurave të rekrutimit si dhe për adresimin e kontesteve gjyqësore që pengojnë plotësimin e këtyre pozitave.
Në letrën e rektorit Hajrullahu për ZKA në lidhje me këtë gjetje të datës , thuhet se ai nuk është pajtuar vetëm me rekomandimin e ZKA-së, për këtë rast nën arsyetimin e llogaritjes së pozitave me ushtrues detyre në raport me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
“Neni 35 i Ligjit nr. 08/L-197 i ndryshuar me Ligjin nr. 08/L-294 neni 9, i cili ligj i ri nuk ka përmbajtje dispozita tranzitore lidhur me pozitat e ushtruesit të detyrës, kanë filluar të llogariten nga data e hyrjes në fuqi e Ligjit Nr. 08/L-294.” – ka thënë rektori Hajrullahu.
ZKA ka këmbëngulur se e gjetura e tyre qëndron duke thënë se dispozita ligjore e përmendur nga Hajrullahu thotë: Zyrtari publik nuk mund të caktohet si ushtrues detyre për një periudhë më të gjatë se 12 muaj, përveç rasteve kur procedura e rekrutimit është shpallur, por për arsye objektive pozita nuk është plotësuar.
“Pozita e lirë nuk mund të zëvendësohet me ushtrues detyre për një periudhë më të gjatë se dy vite. Për personat që kanë qenë UD që nga viti 2013 e tutje nuk nënkupton që UP nuk e ka tejkaluar afatin e lejuar ligjore (6 + 6 muaj) prandaj gjetja nuk ndryshohet dhe rekomandimi mbetet i njëjtë.” – kanë konstatuar nga ZKA.
UP ka një vit e gjysmë që vazhdon të ketë ushtrues detyre në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Universitetit. Nga data , Safet Thaçi është ushtrues detyre në këtë pozitë, kurse para tij ishte Besnik Loxha, i cili ka ofruar dorëheqje nga kjo pozitë që e kishte mbajtur një vit, nga data .
Raporti i ZKA-së për UP-në për vitin 2025 ka rezultuar me 6 rekomandime, të cilat janë të përsëritura. Kurse, për rekomandimet e vitit të kaluar, ZKA thotë se Universiteti i kishte zbatuar dy prej nëntë rekomandimeve të dhëna dhe një është mbyllur.
Sipas ZKA, UP në vitin 2025 ka shpenzuar 30 mijë e 478 euro e 129 centë apo 90% e buxhetit final me një zvogëlim prej 5% krahasuar me vitin 2024. Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë Opinion të kualifikuar Universitetit të Prishtinës në Raportin e auditimit për Pasqyrat financiare për vitin 2025.
Opinioni i kualifikuar është Opinioni i dytë më i mirë që u jepet institucioneve pas Opinionit të pamodifikuar. Ky Opinion jepet kur ka keqdeklarime dhe mospajtueshmëri në Pasqyrat financiare. Raportin e plotë të auditimit të UP-së për vitin 2025 mund ta gjeni në këtë LINK .
