Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Këngëtarja e njohur, Doja Cat, ka reaguar me zemërim pasi disa fansa u mashtruan nga këngë të gjeneruara me inteligjencë artificiale (AI), të cilat po qarkullonin si “muzikë e saj e re”, ka shkruar FemaleFirst. Sipas këngëtares së hitit “ Say So” , këto materiale nuk kanë asnjë lidhje me të dhe janë krijuar plotësisht nga AI.
“Shumë e zhgënjyer që të gjithë po mendojnë se jam unë :/ F*** AI përnjëmend”, ka shkruar ajo në platformën X. Në një postim tjetër ajo ka sqaruar se “të gjitha këngët që po qarkullojnë dhe po thonë se janë të miat janë AI. Asnjë nga ato nuk jam unë”.
Doja Cat ka folur më herët edhe për presionin që ndjen për të mbrojtur zgjedhjet e saj artistike në rrjetet sociale, duke pranuar se shpesh reagon kur ndihet e sulmuar. “Kur ndihem e kërcënuar, edhe nëse nuk është vërtetë kërcënim, reagoj menjëherë… dhe pastaj i jap fuqi njerëzve që ndoshta s’kanë asgjë”, ka thënë ajo për Vogue .
Ajo ka shtuar se shpesh ndien nevojën të mbrojë imazhin dhe krijimtarinë e saj, por shpreson që me kalimin e viteve të distancohet nga debatet online. “Jeta të ndryshon. Do shohim ku do jem kur të jem 50 vjeçe… shpresoj të mos jem ende në Twitter duke u përfshirë në këto gjëra”, ka thënë ajo.
