Qeveria në detyrë ka miratuar vendimin për ndarjen e 3 milionë eurove për mbulimin e kostos së policës kufitare, e njohur si Kartoni i Gjelbër, për mërgimtarët që vijnë në Kosovë me automjetet e tyre gjatë sezonit veror.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së mbajtur më , tha se, njësoj si në vitet e kaluara, edhe këtë vit Qeveria do të mbulojë këtë shpenzim për mërgatën duke filluar nga muaji korrik.
“Ngjashëm sikurse vitet paraprake, edhe këtë vit, duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si Qeveri ndajmë mjete për të mbuluar policën kufitare apo atë që njihet si Kartoni i Gjelbër për mërgatën tonë, të cilët vijnë me vetura në vizitë apo qëndrim në Kosovë gjatë kësaj periudhe”, tha Murati.
Ai bëri të ditur se vendimi parasheh ndarjen e 3 milionë eurove nga Programi i Ringjalljes Ekonomike. “Prandaj, propozim-vendimi parasheh ndarjen buxhetore prej 3 milionë euro për zbatimin e masës 4.5, mbështetje e mërgatës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike. Pra, mjetet merren nga Programi i Ringjalljes Ekonomike”, deklaroi Murati.
Masa për mbulimin e Kartonit të Gjelbër për mërgimtarët zbatohet gjatë muajve të verës, periudhë kur një numër i madh i bashkatdhetarëve vijnë në Kosovë për pushime dhe vizita familjare.
