Ka ndërruar jetë Qamil Bytyçi, veprimtar i dalluar i futbollit të Kosovës. Bytyçi ka qenë anëtar i kryesisë së klubit të futbollit Ferizaj në gjeneratën e sakrificës në rezistencë ndaj regjimit serb. Ka qenë shumë vite kryetar i KF Borcit tani KF Ferizaj dhe anëtar i kryesisë së Lidhjes së futbollt të ish Jugosllavisë.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Qamil Bytyçi, andaj në emrin tim personal dhe në emër të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Qamil Bytyçi do të kujtohet si një figurë e përkushtuar e sportit në Ferizaj dhe në futbollin kosovar në përgjithësi.
Si ish-kryetar i KF Ferizajt, ai dha një kontribut të çmuar në zhvillimin e këtij klubi, derisa ishte pjesë e klubit edhe në periudhat më të vështira të mbijetesës së futbollit tonë.
Me angazhimin, vizionin dhe dashurinë për sportin, ai ishte pjesë e rëndësishme e përpjekjeve për ruajtjen dhe zhvillimin e futbollit kosovar në vitet e okupimit, duke lënë pas gjurmë të respektuara në historinë e klubit dhe të sportit në qytetin e Ferizajt.
Përveç kontributit në futboll, Qamil Bytyqi ishte i angazhuar edhe në jetën kulturore të qytetit, si pjesë e Ansamblit “Kastriotët”, duke dhënë një kontribut të çmuar edhe në fushën e kulturës dhe artit në këtë qytet. Në këto momente dhimbjeje, jemi pranë jush dhe ndajmë pikëllimin për humbjen e një njeriu me vlera të veçanta njerëzore dhe shoqërore.
Emri dhe vepra e Qamil Bytyçit do të mbeten të respektuara dhe të kujtuara me mirënjohje nga komuniteti sportiv dhe kulturor. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!” , – shpreh ngushëllime Agim Ademi, president i Federatës së Futbollit të Kosovës.